Në klinikën ku trajtohen pacientët për sëmundjet e lidhura me ndotjen e ajrit, doktori Amit Jindal thotë se ai dhe kolegët e tij kanë parë një rritje të dukshme të pacientëve me probleme në gjoks dhe mushkëri që kur nivelet e ndotjes u rritën shumë. Ai konfirmoi se rritja e rasteve lidhet drejtpërdrejt me smogun. Që nga java e kaluar, askund tjetër në planet nuk ka ajër kaq të dëmshëm për shëndetin e njerëzve sesa në Nju-Delhi, sipas monitoruesve globalë të cilësisë së ajrit.
Brenda klinikës së parë të Nju-Delhit kushtuar pacientëve me probleme shëndetësore të shkaktuara nga ndotja e ajrit, qytetari Deepak Rajak po ka telashe të mëdha me frymëmarrje.
Astma e 64-vjeçarit është përkeqësuar ditët e fundit dhe vajza e tij e çoi me urgjencë në klinikë, pasi pa se shëndeti i tij po përkeqësohej me shpejtësi.
I ulur në dhomën e pritjes, Rajak i thotë CNN-it se ka mbetur pa frymë dhe nuk mund të ndalojë së kollituri.
“Është e pamundur të marrësh frymë. Sapo erdha me autobus dhe më dukej sikur po mbytesha”, thotë ai.
Klinika e specializuar në spitalin Ram Manohar Lohiya (RML) të Delhit u krijua vitin e kaluar për të trajtuar numrin në rritje të pacientëve të prekur nga ndotja e rrezikshme e ajrit. Situata vazhdon të përkeqësohet çdo dimër në kryeqytetin e Indisë.
Jashtë, një smog toksik ka mbuluar qytetin që nga fundi i muajit të kaluar, duke e kthyer ditën në natë, duke ndërprerë fluturimet, duke bllokuar pamjen dhe duke rrezikuar jetën e miliona njerëzve.
Që nga java e kaluar, askund tjetër në planet nuk ka ajër kaq të rrezikshëm për shëndetin e njerëzve sesa në Nju-Delhi, sipas monitoruesve globalë të cilësisë së ajrit.
Është bërë aq keq sa kreu i Delhit, Atishi, shpalli një "urgjencë mjekësore" dhe autoritetet mbyllën shkollat dhe u bënë thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi.
Por ky nuk është një opsion për Rajak, i cili mbështetet në punën e tij të pastrimit kimik për ta mbështetur familjen e tij.
“Çfarë mund të bëj? Më duhet të dal nga shtëpia për të shkuar në punë”, thotë ai. “Nëse nuk fitoj para, si do të ha? Kur largohem nga shtëpia, fyti më bllokohet plotësisht. Në mbrëmje më duket sikur jam i pajetë”, shton ai.
Rajak tashmë është shtruar në spital një herë këtë vit pasi smogu ia përkeqësoi astmën.
Duke mos parë lehtësim nga ndotja e rrezikshme, vajza e tij Kajal Rajak thotë se ka frikë se ai do të duhet të rikthehet në spital, një barrë e shtuar financiare kur ata tashmë po përpiqen të paguajnë për inhalimet dhe testet e shtrenjta diagnostikuese.
Edhe dërgimi i babait të saj në klinikë është i rrezikshëm, thotë ajo.
"Nuk mund të shihni se çfarë keni përpara," thotë Kajal. "Ne ishim në stacionin e autobusit dhe nuk mund të shihnim as numrin e autobusit, apo nëse një autobus po vinte, kjo tregon për gjendjen”, shton ajo.

“Sikur t’i prekësh sytë me spec djegës”
Në disa pjesë të Delhit këtë javë, nivelet e ndotjes kaluan shifrën 1,750 në Indeksin e Cilësisë së Ajrit, sipas IQAir, i cili gjurmon cilësinë e ajrit nëpër botë. Shifra mbi 300 konsiderohet i rrezikshëm për shëndetin.
Të mërkurën, shifra e ndotësit më të vogël dhe më të rrezikshëm të ajrit, PM2.5, ishte më shumë se 77 herë më e lartë se nivelet e sigurta të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
CNN ka kontaktuar Ministrinë e Mjedisit dhe të Ndryshimeve Klimatike të Indisë për koment.
Kur thithet ajri i ndotur, PM2.5 udhëton thellë në indet e mushkërive, ku mund të hyjë në qarkullimin e gjakut dhe këto grimca ndërlidhen me sëmundjet si astma, sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, kancerin dhe sëmundje të tjera respiratore, dhe pret aftësitë konjitive të fëmijët.
CNN foli me dhjetëra banorë të Delhit gjatë javës së kaluar dhe shumica thanë se kishin vështirësi në frymëmarrje për shkak të ndotjes. Disa e përshkruan se ndiheshin sikur po mbyten dhe se ajri i ndotur po u shkaktonte djegie në sy dhe po ashtu në fyt.
“Ndihem sikur kam spec djegës në sytë e mi”, tha taksisti Mohammad Ibrahim, duke shtuar se gjoksi i dhemb vazhdimisht si pasojë i ekspozimit në ajrin e ndotur gjatë gjithë ditës.
“Kur shkoj në shtëpi në mbrëmje dhe laj duart dhe fytyrën, më del zi nga hunda. Kjo s’ka ndodhur kurrë më parë”, tha Ibrahimi.
Ashtu si Rajak, Ibrahimi nuk mund ta përballojë të pushojë së punuari, edhe pse shëndeti i tij është në rrezik.
“Nëse nuk dal në punë, si do ta siguroj ushqimin? Si do ta paguaj qiranë? Unë jam një njeri i varfër”, tha ai.
Banorët e cenueshëm nga ndotja thonë se është bërë e vështirë të mbijetosh në Delhi.
Veterani i Forcave Ajrore të Indisë, Aditya Kumar Shukla, 64 vjeç, tha se ai përpiqet të mos dalë jashtë në ditët kur cilësia e ajrit është tepër e keqe.
"Ju nuk mund të bëni asgjë për të shpëtuar veten nga ndotja, edhe nëse jeni brenda shtëpisë, ndotja hyn brenda, pasi ajri është shumë i ndotur”, i tha ai CNN-it nga spitali Batra në Delhi, ku po trajtohet për astma.
Shukla tha se ai është shtruar tri herë në spital këtë vit dhe do të largohej nga qyteti po të kishte mundësi.
"Shkakton stres dhe është shumë i rrezikshëm, por në këtë fazë ku mund të shkoj?" tha ai. “Më zemëron shumë, dua të largohem nga Delhi, pasi nuk ka lehtësira në Indi, veçanërisht për ata me astmë dhe sëmundje të mushkërive”, shtoi ai.
Në klinikën e sëmundjeve të ndërlidhura me ndotjen e ajrit, doktori Amit Jindal thotë se ai dhe kolegët e tij kanë parë një rritje të dukshme të pacientëve me probleme me frymëmarrje që kur nivelet e ndotjes u rritën shumë. Ai konfirmoi se rritja lidhet drejtpërdrejt me smogun.
Pacientët vuajnë nga kolla e vazhdueshme, problemet e gjoksit dhe mushkërive dhe u djegin sytë, por ata me probleme shëndetësore ekzistuese si Rajak dhe Shukla, ose ata që punojnë jashtë, janë më të prekurit, thotë Jindal.
Doktori Guray Jain, një pulmonolog në spitalin Batra, thotë se edhe ata që nuk pinë duhan po zhvillojnë sëmundje pulmonare obstruktive kronike (COPD), një gjendje e mushkërive që kufizon rrjedhën e ajrit dhe shkakton probleme me frymëmarrjen.
“Shumë pacientë që thithin në mënyrë kronike ndotësit e ajrit, zhvillojnë COPD”, thotë ai.
“Mushkëritë e tyre janë të pashëndetshme dhe kanë një rrezik në rritje të kancerit të mushkërive”, shton ai.

Kriza afatgjate
Delhi ka qenë duke luftuar me nivele të larta të ndotjes së ajrit për më shumë se dy dekada.
Cilësia e ajrit përkeqësohet çdo vit gjatë muajve të ftohtë.
Ditët pa erë nënkuptojnë se smogu i krijuar nga zjarret e mbeturinave bujqësore, termocentralet me qymyr dhe trafiku, rri pezull mbi qytetin.
Autoriteti që merret me cilësinë e ajrit në Indi tha të dielën se disa pjesë të Delhit kishin cilësi "të rënda të ajrit”. Tha dhe se po përpiqet për ta “zbutur situatën”, duke zbatuar masa emergjente, përfshirë ndalimin e lëvizjes jothelbësore të kamionëve, dhe punën në ndërtimtari.
Zyrtarët po i pastrojnë rrugët vazhdimisht.
Por ekspertët thonë se këto përpjekje, të cilat bëhen çdo vit, janë thjesht masa të përkohshme që nuk trajtojnë shkaqet themelore të ndotjes së ajrit.
“Për sa i përket veprimit aktual për të reduktuar emetimet, ai ka qenë shumë i kufizuar dhe mund të them me mjaft besim se intensiteti i reagimit të Qeverisë për t’i ulur këto nivele të rrezikshme të ndotjes nuk përputhet me intensitetin e emergjencës me të cilën përballemi”, tha analisti mjedisor Sunil Dahiya.
Në vitin 2019, Qeveria e Indisë prezantoi Programin Kombëtar të Ajrit të Pastër për ta përmirësuar cilësinë e ajrit në qytete, dhe disa komitete të tjera janë krijuar në nivel kombëtar dhe shtetëror për ta trajtuar ndotjen e ajrit.
Por analistët thonë se qeveritë po përqendrohen më shumë në reagimin ndaj emergjencës që po krijohet dimrit, sesa në përpjekjet e qëndrueshme për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Teksa djegia e kashtës gjatë sezonit të korrjes së dimrit përkeqëson nivelet e ndotjes, për ta zgjidhur krizën, ndotja duhet të trajtohet gjatë gjithë vitit, sipas Dahiyas.
“Duhet të punojmë në veprime sistematike dhe gjithëpërfshirëse që reduktojnë ndotjen në burim, që do të thotë se duhet të fillojmë të flasim se sa po emetohet në aspektin e ndotjes së ajrit nga sektori i transportit, sektori energjetik, industritë, mbetjet dhe në cilën pjesë të gjeografisë”, tha Dahiya.
Në klinikë, Kajal Rajak është në ankth për përkeqësimin e shëndetit të babait të saj, i cili po e ka të vështirë të marrë frymë dhe mezi po ecën. Ajo është e zemëruar, por thotë se të zemëruarit nuk do ta zgjidhë problemin.
“Qeveria duhet të bëjë diçka”, shprehet ajo.