Shefja e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kimberly Cheatle, ka dhënë dorëheqjen pas hetimeve për gabimet në siguri gjatë atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump, raporton “CNN”.
Republikanët dhe demokratët që ishin pjesë e komisionit mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kërkuan dorëheqjen e drejtoreshës së Shërbimit Sekret, pasi pas dëshmisë së saj, arritën në përfundim se ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të shumta të kongresmenëve në lidhje me atentatin ndaj Trumpit.
Cheatle u sulmua shumë nga të dy krahët gjatë dëshmisë në Dhomën e Përfaqësuesve. Kryetari i komisionit, Jame Comer, ka thënë se nuk pati shumë përgjigje në lidhje me atentatin ndaj Trumpit.
Cheatle pranoi se Shërbimi Sekret kishte dështuar në detyrën e vet, por këmbënguli të qëndrojë në krye të detyrës, çka nxiti pakënaqësinë e republikanëve dhe demokratëve duke shmangur vazhdimisht përgjigjet në disa pyetje.
Në tentimvrasjen më 13 korrik, Trump kishte marrë lëndim në veshin e djathtë. Në atentatin që u tha se u krye nga Matthew Crooks 20-vjeçar, u vra një person e u plagosën dy tjerë. Crooks u qëllua më pas nga një snajperist i Shërbimit Sekret.
Komiteti i Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve mban seancë dëgjimore për Trumpin
Komisioni i Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve është duke zhvilluar të martën një seancë dëgjimore për tentativën për vrasjen e ish-presidentit, Donald Trump.
Seanca dëgjimore vjen në të njëjtën ditë kur drejtoresha e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle njoftoi për dorëheqje, pas tentativës për vrasjen e Trumpit, që shkaktoi reagime për mënyrën sesi agjencia e ngarkuar me mbrojtjen e presidentëve aktualë dhe ish-presidentëve po dështonte në misionin e saj kryesor.
Kimberly Cheatle kishte shërbyer si drejtoreshë e Shërbimit Sekret që nga gushti i vitit 2022.
Cheatle njoftoi largimin e saj përmes një emaili që i kishte dërguar stafit. Në emailin të cilin e ka siguruar Associated Press thuhej ndër të tjera se ajo e merrte përgjegjësinë për gabimin e sigurisë.
Cheatle ishte përballur me thirrje në rritje për të dhënë dorëheqjen dhe me hetimet se si vrasësi ishte në gjendje t'i afrohej kaq shumë kandidatit presidencial republikan në një tubim të fushatës në Pensilvani.
Seanca dëgjimore e Komitetit të Sigurisë Kombëtare vjen një ditë pasi Cheatle dëshmoi në Capitol Hill.
Komisioneri i Policisë së Shtetit të Pensilvanisë dhe presidenti Kombëtar i Urdhrit Vëllazëror të Policisë ishin dëshmitarë në seancën e së martës.
Mark Green, kryetari i komitetit, thotë se rrëfimet e tyre të ngjarjeve janë kritike për hetimin.
Një çështje tjetër pas të shtënave është se si u ndanë përgjegjësitë e sigurisë midis Shërbimit Sekret dhe zbatimit të ligjit vendor në tubim, dhe çka ndodhi që u lejua personi i armatosur të ngjitej në çati.
Trumpi ripërsërit: U detyrova të marr një plumb për demokracinë
Pak minuta pasi u publikua lajmi për dorëheqjen e Kimberly Cheatle, ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka reaguar në rrjetin e tij të mediave sociale duke thënë se "Administrata e Biden/Harris nuk më mbrojti siç duhet dhe u detyrova të marr një plumb për demokracinë".
“Kisha nderin ta bëja këtë”, ka shkruar Trumpi.
Fushata e Trumpit nuk iu përgjigj menjëherë një mesazhi që kërkonte koment mbi dorëheqjen e Cheatle.
Nuk ishte e qartë nëse postimi i Trumpit ishte si reagim ndaj lajmit për dorëheqjen e drejtoreshës së Shërbimit Sekret.
Bideni pritet ta emërojë drejtorin e ri të Shërbimit Sekret
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se është mirënjohës për dekadat e shërbimit publik të drejtoreshës së Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle, teksa ka shtuar se së shpejti do ta emërojë një drejtues të ri për agjencinë.
Në një deklaratë, pak pasi Cheatle njoftoi dorëheqjen e saj për shkak të atentatit ndaj ish-presidentin amerikan, Donald Trump, Bideni ka thënë se Cheatle kishte "përkushtim vetëmohues dhe rrezikoi jetën e saj për të mbrojtur kombin tonë". Bideni i uroi asaj "gjithë të mirat".
“Shqyrtimi i pavarur për të arritur deri në fund të asaj që ndodhi më 13 korrik vazhdon dhe mezi pres të vlerësoj përfundimet e tij. Ne të gjithë e dimë se çfarë ndodhi atë ditë nuk mund të ndodhë më kurrë”, është shprehur Bideni.
Cheatle thotë se merr përgjegjësinë e plotë për gabimin e sigurisë në atentatin ndaj Trumpit
Drejtoresha e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle ka deklaruar se merr përgjegjësinë e plotë për gabimin e sigurisë në rastin e atentatit ndaj ish-presidentit, Donald Trump.
Cheatle, e cila kishte shërbyer si drejtoreshë e Shërbimit Sekret që nga gushti i vitit 2022, është përballur me thirrje në rritje për të dhënë dorëheqjen, dhe me hetimet se si sulmuesi ishte në gjendje t'i afrohej kaq shumë kandidatit republikan presidencial në një tubim të fushatës në Pensilvani, mw 13 dhjetor.
"Unë marr përgjegjësinë e plotë për gabimin e sigurisë”, është shprehur ajo në një email drejtuar stafit e të siguruar nga Associated Press.
“Në dritën e ngjarjeve të fundit, me zemër të thyer, kam marrë vendimin e vështirë të largohem nga posti i drejtoreshws tuaj”, ka thënë ajo në emailin e saj.
Largimi i Cheatle nuk pritet t'i japë fund hetimit ndaj agjencisë së trazuar pas dështimeve të 13 korrikut dhe vjen në një moment kritik përpara Konventës Kombëtare Demokratike dhe një sezoni të ngjeshur të fushatës presidenciale.
Ligjvënësit në të dy anët kanë premtuar hetim të vazhdueshëm, së bashku me një hetim të përgjithshëm të inspektorit dhe një përpjekje të pavarur dhe dypartiake të nisur me urdhër të presidentit, Joe Biden që do ta mbajë agjencinë në qendër të vëmendjes.
Johnsoni e quan të vonuar dorëheqjen e Cheatles
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka thënë se shefja e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle, është vonuar për dorëheqjen e saj.
Duke folur në një konferencë për shtyp pas një takimi të udhëheqjes republikane, Johnson ka thënë se "ajo duhet ta kishte bërë këtë të paktën një javë më parë", raporton BBC.
Por Johnsoni ka shtuar se ai është "i kënaqur që ajo e ka dëgjuar thirrjen" - si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët.