Botë

Jep dorëheqjen presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis

Klaus Iohannis

Foto: Associated Press

Presidenti rumun, Klaus Iohannis, ka njoftuar dorëheqjen e tij të hënën pas presionit në rritje nga grupet opozitare populiste, dy muaj pasi një gjykatë e lartë anuloi zgjedhjet presidenciale në vendin e Bashkimit Evropian.

"Për të shpëtuar Rumaninë nga kjo krizë, unë po jap dorëheqjen si president i Rumanisë”, ka thënë ai në një fjalim emocionues, duke shtuar se do të largohet nga detyra më 12 shkurt, raporton AP.

Iohannis, 65 vjeç, mbajti rolin presidencial që nga viti 2014 dhe shërbeu maksimalisht dy mandate pesëvjeçare. Por presidenca e tij u zgjat në dhjetor pasi Gjykata Kushtetuese anuloi garën presidenciale dy ditë përpara balotazhit të 8 dhjetorit.

Kjo erdhi pasi populisti i ekstremit të djathtë Calin Georgescu fitoi papritur rundin e parë, pas të cilit dolën akuza për ndërhyrje ruse dhe shkelje elektorale.

Disa parti opozitare, duke përfshirë Aleancën e ekstremit të djathtë për Unitetin e Rumunëve (AUR), partinë nacionaliste S.O.S dhe Partinë e të Rinjve, por edhe disa anëtarë të partisë reformiste Save Romania Union, kërkuan shkarkimin e Iohannis përmes një mocioni të paraqitur në Parlament. Disa ligjvënës nga koalicioni qeverisës pritej gjithashtu të votonin pro.

“Kjo është një përpjekje e kotë, sepse, në çdo rast, unë do të largohem nga detyra pas disa muajsh pas zgjedhjes së presidentit të ri. Është një veprim i pabazuar, sepse unë nuk e kam shkelur kurrë, po e përsëris, asnjëherë Kushtetutën”, ka deklaruar ai.

Ai shtoi se pasojat e largimit do të ishin "të gjata dhe shumë negative" për Rumaninë, një anëtare e BE-së që nga viti 2007 dhe një anëtare e NATO-s që nga viti 2004.

"Asnjë nga partnerët tanë nuk do ta kuptojë pse Rumania po shkarkon presidentin e saj kur procesi për zgjedhjen e një presidenti të ri ka filluar tashmë”, është shprehur ai.

Janë caktuar data të reja për votimin presidencial. Rundi i parë është planifikuar për 4 maj. Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50% të votave, një balotazh do të mbahet dy javë më vonë, më 18 maj. Nuk është ende e qartë nëse Georgescu do të jetë në gjendje të marrë pjesë në zgjedhjet e reja.

Pas njoftimit të dorëheqjes së tij, shpërthyen përleshje midis mbështetësve të Georgescu dhe policisë përpara ndërtesës së qeverisë në kryeqytetin Bukuresht.