Kreu i Parlamentit të Vietnamit, Voung Dinh Hue, ka dhënë dorëheqjen, sipas mediave shtetërore, duke e bërë atë zyrtarin e fundit të lartë që ka lënë detyrën në mes të një fushate të vazhdueshme kundër korrupsionit.
Dorëheqja e kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Dinh Hue shton paqëndrueshmërinë në rritje në vend, raporton AP.
Presidenti Vo Van Thuong dha dorëheqjen në mars - pak më shumë se një vit pasi presidenti i mëparshëm, Nguyen Xuan Phuc, dha dorëheqjen për të marrë përgjegjësinë politike për skandalet e korrupsionit gjatë pandemisë.
“Kjo gjithashtu thekson pasigurinë ekstreme në një mjedis politik që shpesh mburret me stabilitetin e tij, pasi tre liderë të lartë janë larguar në vetëm një vit”, ka thënë Nguyen Khac Giang, një analist në Institutin ISEAS-Yusof Ishak të Singaporit.
Dorëheqja e Hue erdhi disa ditë pasi ndihmësi i tij Pham Thai Ha u arrestua me akuzën e abuzimit të pozitës dhe pushtetit për përfitime personale më 21 prill, sipas medias shtetërore VN Express.
Raportet fillestare nuk thanë se Hue ishte i implikuar në korrupsion, por vunë në dukje se hetuesit zbuluan se lideri parlamentar kishte “shkelur rregulloret e Partisë dhe shkeljet e tij kanë ndikuar në reputacionin e Partisë, të Shtetit dhe të tij”.
Partia Komuniste e Vietnamit pranoi atë që e quajti një dorëheqje vullnetare nga Hue, sipas VN Express.
Hue, 67 vjeç, kishte qenë kryetar i asamblesë kombëtare të Vietnamit për më shumë se tre vjet. Kjo e bëri atë politikanin e katërt më të rëndësishëm në Vietnam, së bashku me presidentin, kryeministrin dhe kreun e Partisë Komuniste.