Botë

JD Vance do ta vizitojë Grenlandën këtë javë

JD Vance

Foto: Associated Press

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka thënë të martën se do të vizitojë Grenlandën këtë javë duke shoqëruar një delegacion të profilit të lartë të SHBA-së në territorin që presidenti i SHBA-së, Donald Trump thotë se Uashingtoni duhet ta marrë nën kontroll.

Trumpi ka thënë vazhdimisht se ishulli i madh është i rëndësishëm për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Mirëpo qveritë e Grenlandës dhe Danimarkës kanë shprehur kundërshtime ndaj çdo marrjeje të kontrollit nga SHBA-ja. Sondazhet kanë treguar se pothuajse të gjithë grenlandezët kundërshtojnë bashkimin me Shtetet e Bashkuara.

"Mezi pres të vizitoj Grenlandën të premten”, ka shkruar Vance në një postim në X. 

"Shumë vende të tjera kanë kërcënuar Grenlandën, kanë kërcënuar se do të përdorin territoret dhe rrugët e saj ujore për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara, për të kërcënuar Kanadanë dhe natyrisht, për të kërcënuar popullin e Grenlandës. Kështu që ne do të kontrollojmë se si po shkojnë gjërat atje", ka thënë Vance në një video që i ka bashkëngjitur postimit.

Grenlanda ka qenë e kontrolluar nga Danimarka për shekuj, më parë si një koloni dhe tani si një territor gjysmë sovran nën mbretërinë daneze. Ai i nënshtrohet kushtetutës daneze, që do të thotë se çdo ndryshim në statusin e tij ligjor do të kërkonte një ndryshim kushtetues.

Vizita e delegacionit amerikan në Grenlandë në një bazë ushtarake amerikane do të përfshijë gjithashtu Usha Vance, gruan e nënpresidentit, këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz dhe sekretarin e Energjisë, Chris Wright. Vizita zhvillohet nga e enjtja deri të shtunën.

LEXO EDHE: