Ka pasur shumë momente rreziku ekstrem që nga viti i kaluar. Ky është më i keqi.
Në shtatë ditët e fundit, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra, Izraeli ka nisur pushtim tokësor në Liban, dhe Irani ka lëshuar afër 200 raketa balistike në caqe përreth Izraelit.
Fuqitë perëndimore dhe rajonale – udhëhequr nga SHBA-ja – kanë shtyrë për depërshkallëzim. Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për “përfundim të menjëhershëm” të armiqësive dhe G7-a, që përfshinë SHBA-në, Britaninë dhe Gjermaninë, ka bërë thirrje për “vetëpërmbajtje”.
Por, deri më tani këto përpjekje kanë dështuar – dhe Lindja e Mesme qëndron më afër se kurrë një lufte të gjerë.
E premte mbrëma: Nasrallahu vritet.
Më 27 shtator Bejruti u godit nga një seri shpërthimesh të mëdha.
Disa ndërtesa u goditën, duke lënë një krater të madh në tokë. Shtëllunga tymi mbuluan qiellin që shiheshin përgjatë kryeqytetit libanez.
Sulmi, me cak një bunker në nëntokë, vrau liderin e Hezollahut, Hassan Nasrallah.
Nasrallahu nuk ishte parë në publik për vite për shkak të frikës se mund të vritej nga Izraeli.
Vdekja e tij solli një javë sulmesh të përshkallëzuara nga Izraeli që synonin Hezbollahun e që lanë mbi 500 të vdekur.
Një javë para kësaj të fundit, një seri shpërthimesh përmes pejxherëve lanë 32 të vdekur e mbi 3,000 të lënduar.
Vdekja e Nasrallahut fshiu të gjitha shpresat për depërshkallëzim, i cili vetëm orë më parë dukej i mundur.
Një propozim amerikan për armëpushim 21-ditor ishte diskutuar në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Ambasadori i Izraelit aty, Danny Danon, madje kishte thënë se pala e tij ishte “e hapur ndaj ideve”.
Por, disa orë pas sulmit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ishte në një fluturim të hershëm për në shtëpi nga takimi i OKB-së – dhe çdo shpresë se diplomacia do triumfonte, u shua.
E hëne mbrëma: Izraeli pushton Libanin.
Tri ditë më vonë, forcat izraelite kaluan në Liban, duke shënuar fillimin e pushtimin tokësor.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se operacionet e tyre do të ishin “të limituara dhe shënjestruara”.
Luftimet deri tani kanë dëbuar afër 1.2 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre, sipas njësisë së krizave të Libanit. Të paktën tetë ushtarë izraelitë janë vrarë.
Izraeli thotë se operacioni ka për qëllim të pengojë aftësinë e Hezbollahut që të lëshojë raketa dhe dronë përtej kufirit – diçka që është bërë gati përditë që kur Hamasi, aleati i tij palestinez, nisi sulmin vdekjeprurës në Izrael gati një vit më parë, duke nxitur luftën në Gaza.
Tani trupat e Izraelit po bëjnë një luftë tokësore në dy fronte njëkohësisht: Gaza dhe Liban. Kjo nuk ka ndodhur në dekada.
Lufta e fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut, në vitin 2006, u ndal me Rezolutën 1701 të OKB-së, e cila përcaktonte që Hezbollahu të tërhiqte forcat e tij nga Libani jugor.
Kjo nuk ndodhi kurrë, dhe me mbështetjen e Iranit, Hezbollahu rriti fuqinë.
Izraeli nuk ka thënë se dëshiron ta largojë Hezbollahun krejtësisht nga fusha politike e Libanit (siç ka bërë me Hamasin në Gaza), por me gjithë fjalimet e veta se ky është një operacion “i limituar dhe i shënjestruar”, është e qartë se Izraeli është i vendosur pamëshirshëm ta shkurtojë fuqinë e Hezbollahut.
E marte mbrëma: Irani sulmon Izraelin.
Ditën tjetër rreth orës 19:30, 10 milionë izraelitëve iu kërkua të strehoheshin pasi Izraeli lëshoi afër 200 raketa balistike në Izrael.
Sistemi i mbrojtjes u vu në veprim – dhe aleatët përfshirë SHBA-në dhe Britaninë u përfshinë në zmbrapsjen e sulmit – një tjetër shenjë e zgjrimit të konfliktit.
IDF-ja ka thënë se shumica e raketave u neutralizua, por një numër i vogël goditën Izraelin qendror dhe jugor. I vetmi person që u raportua se u vra ishte një palestinez në Bregun Perëndimor të okupuar.
Teherani llogariti se duhej të bënte diçka më dramatike se sulmi i prillit. Kështu, rriti numrin e raketave balistike dhe nuk pati paralajmërim paraprak.
Por, ndërsa sulmi ishte më shumë demonstrativ, nuk dukej se shfaqte dëshirën e Iranit për një luftë të gjerë.
Kjo nuk është e habitshme. Nëse do të vinte në një luftë të gjerë, Irani e di se do të humbte, dhe atë keq.
Madje mund të lajmëronte fundin e Republikës Islamike.
Izraeli, me aleatë të fuqishëm perëndimorë – dhe një numër fqinjësh të Lindjes së Mesme të gatshëm për të ndihmuar në rrëzimin e raketave iraniane – është një superfuqi rajonale.
Irani, me ekonomi të dobët dhe i drejtuar nga një qeveri jopopullore, nuk mund të krahasohet. As nuk ka aleatët që do të ishin të gatshëm t’i shkojnë në mbrojtje në rast konfrontimi.
Çfarë më pas?
Pavarësisht humbjeve të Hezbollahut, është zotuar të vazhdojë luftimet në Liban.
Dhe historia ka treguar se është e lehtë për Izraelin të futet në Liban, por e vështirë për t’u larguar.
Sa për përgjigjen e Izraelit ndaj Iranit, rajoni dhe bota kanë qenë në ankth që nga e marta.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ka dekurajuar Izraelin që të godasë objektet bërthamore të Iranit në hakmarrjen e tij.
Një reagim i ashpër duket i pashmangshëm dhe retorika aktuale e Benjamin Netanyahut sugjeron se ai ka mundësi të mendojë për ndryshim të regjimit në Iran.
Por, synimet imediate të Izraelit janë më afër vendit. “Fitore totale” në Gaza dhe largimi i kërcënimit nga Hezbollahu përgjatë kufirit verior.
Liderët izraelitë theksojnë se janë në luftë në shumë fronte. Netanyahu thotë se janë shtatë: Gaza, Liban, Bregu Perëndimor, Jemen, Iran, Irak dhe Siri.
Është e vërtetë se gjatë vitit, sulmet kanë ardhur nga të gjitha drejtimet, edhe pse grupet pro-iraniane në Irak dhe Siri deri tash kanë paraqitur pak kërcënim real.
Nuk po shohim ende një luftë të gjerë rajonale, por me kaq shumë lojtarë që ndjejnë se kanë pjesë në të, lufta në Gaza ka metastazuar në mënyrë dramatike.
Përktheu: Emine Shehu