Popullsia në tkurrje dhe e moshuar e Japonisë përbën një pengesë në krijimin e një ushtrie më të fortë të vendit derisa kombi përpiqet të kundërshtojë kërcënimet e sigurisë nga Kina dhe Koreja e Veriut
Pas 75 vjetësh paqeje, Japonia po përballet me sfida të mëdha në krijimin e një ushtrie më të fuqishme. Për ta kuptuar pse, merrni shembull Noshiron, fregatë e flotës detare, e sapoporositur, e pajisur me raketa kundër anijeve dhe sinjalizues për gjurmimin e nëndetëseve.
Anija u projektua për të funksionuar me pak staf: mund të funksionojë me rreth dy të tretat e ekuipazhit, të nevojshëm për të operuar një model të ngjashëm paraprak. Tani për tani ajo funksionon edhe me më pak marinarë se kaq.
Në bordin e anijes detyrat që më parë u përkisnin shtatë ose tetë anëtarëve të ekuipazhit janë konsoliduar për vetëm tre ose katër syresh. Infermierja e anijes shërben edhe si pjatalarëse dhe kuzhiniere.
“Ne po sistemojmë shumë gjëra”, thotë kapiteni Yoshihiro Iwata, 44 vjeç, kur fregata u ankorua së fundmi në Sasebo, në Japoninë jugperëndimore. “Por, për të qenë i sinqertë”, shton ai, “një person po kryen dy-tri punë të ndryshme”.
Ekuipazhi i dobësuar në Noshiro është konfirmim i realitetit të zymtë demografik në Japoni, derisa përballet me kërcënimet më të rënda të sigurisë në dekada nga veprimet ushtarake gjithnjë e më provokuese të Kinës dhe arsenali bërthamor në rritje i Koresë së Veriut.
Japonia është zotuar të rrisë shpenzimet ushtarake në 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, ose me rreth 60 për qind, gjatë pesë viteve të ardhshme, gjë që do t’i jepte asaj buxhetin e tretë më të madh të mbrojtjes në botë. Ajo po blen raketat Tomahawk dhe ka shpenzuar rreth 30 milionë dollarë për sistemet e mbrojtjes nga raketat balistike.
Tkurrja e popullsisë
Por ndërkohë që mosha mesatare e popullsisë po rritet dhe numri i përgjithshëm i popullsisë po tkurret me shpejtësi - gati një e treta e japonezëve janë mbi 65 vjeç dhe nataliteti ra në një nivel rekord vitin e kaluar - ekspertët po shqetësohen se ushtria thjesht nuk do të jetë në gjendje të plotësojë flotat dhe skuadriljet tradicionale me trupa ushtarake.
Ushtria, flota detare dhe forcat ajrore nuk kanë arritur të plotësojnë objektivat e rekrutimit për vite me radhë dhe numri i personelit aktiv – rreth 247 mijë – është gati 10 për qind më i ulët sesa ishte në vitin 1990.
Edhe pse Japonia po mundohet të rekrutojë trupa konvencionale, ajo duhet gjithashtu të tërheqë batalione të reja ushtarësh që marrin vesh teknologjinë, për të qenë në gjendje që të operojnë pajisje të sofistikuara ose për t’u mbrojtur kundër sulmeve kibernetike. Për disa detyra udhëheqësit ushtarakë thonë se mund t’u drejtohen sistemeve pa pilot si dronët, por një teknologji e tillë mund të kërkojë ende një numër të madh personeli për të funksionuar.
Sfidat demografike paraqesin edhe ato ekonomike: Ekziston rezistencë e fortë publike ndaj rritjes së taksave për të financuar buxhetin e mbrojtjes, në kohën e rritjes së shpenzimeve shoqërore për të moshuarit.
“Vetë buxheti nuk mund ta mbrojë vendin”, thotë Yoji Koda, zëvendësadmiral i pensionuar. “Gjëja themelore është se si të rekrutohen ushtarët”, shtoi ai. “Kjo do të thotë të mendosh se si ta zgjosh komunitetin e fjetur japonez”.
Me Shtetet e Bashkuara, të dobësuara nga luftërat në Ukrainë dhe Gaza, si dhe nga konkurrenca në rritje me Kinën, ajo ka nevojë që Japonia të bëhet partnere më e barabartë. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Japonia, e cila është nikoqire e më shumë ushtarëve amerikanë se në çdo shtet tjetër, ka qenë në fakt protektorat i Shteteve të Bashkuara.

Lidhja me SHBA-në
Deri më tani udhëheqësit politikë dhe ushtarakë amerikanë kanë folur me miratim për përparimin e mbrojtjes së Japonisë, duke e mirëpritur zgjerimin e saj buxhetor dhe investimet e reja në pajisje ushtarake. “Kjo sjell besueshmëri në parandalim”, thotë Rahm Emanuel, ambasadori i SHBA-së në Japoni.
Për të demonstruar koordinimin më të ngushtë, të dy shtetet kanë zgjeruar dhe shtuar stërvitjet ushtarake.
Verën e kaluar, gjatë edicionit më të madh ndonjëherë të Resolute Dragon, një stërvitje vjetore dypalëshe, marinarët e SHBA-së dhe Ushtria e Japonisë, kryen operacione “krah për krah”, tha gjenerallejtënant James W. Bierman, komandanti i Forcës së Tretë të Ekspeditës Detare në Okinawa.
Ideja është që të stërvitemi me trupat japoneze në mënyrë që “ne të mund të shkëmbejmë vërtet një platformë ose kapacitet nga një komb me një tjetër”, tha admirali Christopher D. Stone, komandanti i Grupit të Shtatë Sulmues të Ekspeditës në Okinawa.
Marrëdhënia më e ngushtë vjen pasi këndvështrimi i publikut japonez për ushtrinë ka evoluar.
Vendi ka paqe të shkruar në Kushtetutën e tij dhe deri vonë populli kundërshtoi blerjen e raketave, të afta për të goditur territorin e armikut, ose ndryshimet ligjore që do të lejonin trupat japoneze, të kufizuara nga Kushtetuta për mbrojtjen e kombit, të merrnin pjesë në luftime jashtë Japonisë. Tani, derisa shumica e popullsisë e sheh Kinën si një kërcënim për sigurinë e Japonisë, sondazhet tregojnë mbështetje për masa të tilla.
Kjo, megjithatë, nuk është përkthyer në një rritje të regjistrimit në Forcat e Vetëmbrojtjes së Japonisë (S.D.F), siç njihet ndryshe ushtria.
“Pranimi shoqëror i S.D.F.-së është shumë më i gjerë dhe më i thellë” se në të kaluarën, thotë Ayumi Teraoka, hulumtuese postdoktorale në Institutin e Azisë Lindore Weatherhead të Universitetit të Kolumbisë. “Por kjo nuk përkthehet në “Në rregull, le t’i dërgojmë fëmijët tanë në S.D.F.”.
Gjenerali Yoshihide Yoshida, kryetar i shtabit të përbashkët të Japonisë, pranoi sfidat në një intervistë në Ministrinë e Mbrojtjes në Tokio. “Ne po përballemi me vështirësi të mëdha në rekrutim”, thotë.
Për të zgjeruar gradat e përgjithshme, gjenerali Yoshida thotë se Forcat e Vetëmbrojtjes duhet të rrisin përqindjen e grave ushtare në 12 për qind, nga më pak se 8 për qind, deri në vitin 2030. Ushtria duhet të rekrutojë oficerë të karrierës së mesme, të bashkëpunojë me sektorin privat dhe të përfshijë inteligjencën artificiale dhe sistemet pa pilot, tha ai.
Pengesat janë të mëdha. Numri i raportimeve të ngacmimeve seksuale në ushtri i dekurajojnë gratë që të regjistrohen. Me shkallën e papunësisë në 2.5 për qind, joshja e të diplomuarve të rinj është e vështirë.
“Në të kaluarën, njerëzit vinin në Forcat e Vetë-Mbrojtjes sepse nuk kishin zgjidhje tjetër”, tha kolonel Toshiyuki Aso, drejtor i rekrutimit në një qendër ushtarake në Naha, kryeqyteti i Okinawas. “Tani ata kanë shumë më tepër zgjedhje”.
Posterët me gra dhe rekrutë më të moshuar janë vendosur në muret e qendrës, në një ndërtesë të zymtë, në një rrugë anësore. “Mbroni njerëzit, është shumë shpërblyese”, shkruhej në një slogan, nën fotografinë e ushtares. “Një e ardhme me të cilën duhet të krenohemi, edhe pas daljes në pension”, shkruhej në një tjetër që synonte oficerët e mundshëm rezervë. “Nuk ka mbaruar akoma!”
Në një stërvitje të fundit në një bazë në Naha u zbuluan kërkesat e punës edhe për detyrat e zakonshme: 90 trupa u mblodhën në një pllakë betoni 46 metra të gjatë për të praktikuar riparimin e një piste pas një sulmi hipotetik të armikut. Për gati tre orë, ata mblodhën grumbuj rrënojash dhe rrahën e rrafshuan dheun me çekiçë.
Trupat përfunduan detyrat e tyre me kujdes artizanal, duke lëmuar betonin e sapo shkarkuar me mistria dore dhe duke fshirë pluhurin e çimentos me furça të vogla.
Shumë punë, pak njerëz
Duke lënë mënjanë shifrat e mëdha, ekspertët thonë se ushtria moderne do të kërkojë aftësi të nivelit më të lartë për të operuar armatime të avancuara dhe pajisje të mbikëqyrjes. Tashmë, Japonia ka mbetur prapa aleatëve të saj në mbrojtjen kundër luftës kibernetike.
“Nuk ka asnjë strukturë ushtarake për të mbrojtur qytetarët japonezë kundër sulmeve kibernetike”, tha Hideto Tomabechi, një shkencëtar i teknologjisë, që ka këshilluar Forcat e Vetëmbrojtjes të Japonisë dhe është bashkëpunëtor në Universitetin Carnegie Mellon në Pittsburgh.
Qeveria ka njoftuar se ka në plan të zgjerojë forcën e saj ushtarake kibernetike deri në 4 mijë njerëz, megjithëse shumë japonezë kundërshtojnë operacionet e sigurisë kibernetike që ata besojnë se mund të pushtojnë privatësinë e tyre.
“Ka shumë shqetësime se qeveria do të jetë në gjendje të kontrollojë të gjitha emailet dhe informacionet e qytetarëve si dhe kërkimet e tyre në internet”, tha Itsunori Onodera, ish-ministër i mbrojtjes.
Për ta bërë shërbimin ushtarak më tërheqës, gjenerali Yoshida tha se Forcat e Vetëmbrojtjes duhej të ofronin paga më të larta ose ambiente më të mira jetese. Rekrutuesit e flotës detare kanë probleme për të tërhequr marinarët, për shembull, sepse të rinjtë me perspektivë shqetësohen për shkëputjen nga Wi-Fi në det. Marinarët amerikanë, nga ana tjetër, mund të përdorin mediat sociale në telefonat e tyre edhe gjatë kohës sa janë në bord.
Disa taktika të rekrutimit kanë dështuar. Duke u munduar të imitojë reklamat “Be All You Can Be”, të njohura për shikuesit amerikanë të filmit, Forcat e Vetëmbrojtjes transmetuan reklama në kinema verën e kaluar përpara shfaqjes së “The Silent Service”, një triler ku flitej për një nëndetëse bërthamore.
I pyetur nëse reklamat kishin frymëzuar shtim të regjistrimeve të reja në ushtri, Hironori Ogihara, zëdhënës në qendrën e rekrutimit në Okinawa, buzëqeshi duke ngritur supet. “Jo hala”, thotë shkurt ai.
Përktheu: Forca Jashari