Botë

Japonezi i dënuar me vdekje prej gjysmë shekulli, tani shpallet i pafajshëm

Japonezi i dënuar me vdekje prej gjysmë shekulli, tani shpallet i pafajshëm

Foto: Getty

Një 88-vjeçar i dënuar me vdekje qysh në vitin 1968, tani është shpallur i pafajshëm nga një gjykatë në Japoni.

Iëao Hakamada, i cili priste vdekjen për më shumë se gjysmë shekulli, ishte shpallur fajtor më 1968 për vrasjen e shefit të tij, gruas së shefit dhe dy fëmijëve të tyre.

Së fundmi rasti ishte kthyer në rigjykim pas dyshimeve se hetuesit mund të kishin falsifikuar provat që çuan në dënimin e tij për vrasjen e katërfishtë, raportoi BBC. 

Gjykata të enjten ka thënë se hetuesit në të vërtetë kishin falsifikuar provat për t’ia hedhur fajin Hakamadas.

Qëndrimi në burg për kaq gjatë ka pasur efekt të rëndë në shëndetin mendor të Hakamadas. Ai nuk ka mundur të jetë prezent në seancën gjyqësore.

Rasti i Hakamadas është një prej proceseve më të gjata dhe të famshme gjyqësore të Japonisë, që ka tërhequr interesin e publikut me rreth 500 njerëz që kanë kërkuar të zënë ulëset në gjykatë të enjten në Shizuoka.

Hakamada ka jetuar nën kujdesin e motrës së tij 91-vjeçare që nga viti 2014, kur u lirua nga burgu dhe u kthye në rigjykim.

Rigjykimet për të dënuarit me vdekje janë të rralla në Japoni - rasti i Hakamadas është vetëm i pesti në historinë e pasluftës të Japonisë.

Së bashku me Shtetet e Bashkuara, Japonia është i vetmi vend i G7-s që ende vendos dënimin me vdekje, me të burgosurit e dënuar me vdekje që njoftohen për varjen e tyre vetëm disa orë përpara.