Një vit pas fillimit të luftës shumë pyetje janë shtruar për caqet e pretenduara të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) dhe për vrasjen e civilëve nga pakujdesia. Mes atyre që bëjnë thirrje për drejtësi është edhe një nënë, vajza e vogël e së cilës u vra në një incident që tronditi botën
(SkyNews) - Të varrosura nën rrënojat e Gazës janë viktimat e harruara të kësaj lufte dhe bashkë me to varrosen edhe historitë se si u vranë.
Një vit pas fillimit të luftës shumë pyetje janë shtruar për caqet e pretenduara të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) dhe për vrasjen e civilëve nga pakujdesia. Mes atyre që bëjnë thirrje për drejtësi është edhe një nënë, vajza e vogël e së cilës u vra në një incident që tronditi botën.
Pesëvjeçarja, Hind Rajab, u vra së bashku me gjashtë anëtarë të familjes së saj, në një makinë, derisa përpiqeshin t’u shpëtonin luftimeve në qytetin e Gazës në janar. Thirrjet e saj të trishtueshme për ndihmë u regjistruan në kohë reale në telefonatat me shërbimet e urgjencës, të cilat më pas u bënë publike.
“Unë po i bëj thirrje gjithë botës që të qëndrojë me ne, në mënyrë që ata që kryen këtë krim brutal të mbajnë përgjegjësi”, tha nëna e saj, Wissam Hamada, tek qëndronte në shtëpinë e saj të përkohshme në Gaza. “Kam nevojë për drejtësi për vajzën time”.
“Sky News” ka hetuar rrethanat e vdekjes së Hindës, ato të familjes së saj të gjerë dhe dy punonjësve shëndetësorë që u vranë duke u përpjekur që ta shpëtonin vajzën. Janë analizuar imazhet satelitore, materialet e shtypit të IDF-së dhe është biseduar me ekspertët e armëve dhe ata të mjekësisë ligjore.
Më 29 janar, e vendosur për t’iu shpëtuar luftimeve në lagjen “Tel al Hawa” të qytetit të Gazës, familja e Hindir vendosi të ikte. “Xhaxhai im vendosi t’i fuste të gjithë fëmijët në makinë dhe gruan e tij, dhe ne të rriturit të ecnim në një rrugë tjetër”, tha 27-vjeçarja Wissam.
Hind hipi në makinë së bashku me gjashtë anëtarë të tjerë të familjes: xhaxhai i nënës së saj, Bashar Hamada; gruaja e tij, Ana’am; dhe katër fëmijët e tyre, Layan, Raghad, Sarah dhe Mohammad.
Vëllai më i vogël i Hindit, Eiyad, nuk donte të hipte në makinë dhe kështu në momentin e fundit atë e lejuan të qëndronte me të rriturit.
Makina, një “Kia” e vogël e zezë, u sulmua pranë një pike derivatesh, vetëm 350 metra larg nga pika e saj e nisjes. Wissam thotë se e pa ndodhinë me sytë e saj dhe e konfirmoi që makina u sulmua saktësisht në orën 8:10 të mëngjesit, vetëm 10 minuta pasi vajza dhe familja e saj u larguan nga shtëpia e tyre.
“I pamë kur e qëlluan makinën, por nuk besuam se i kishin vënë në shënjestër, ose nuk donim ta besonim”, tha ajo.
Familja u kthye në banesën e tyre. Kur filloi të ndiejë siguri, u kthye jashtë dhe filloi të ecte, pa e ditur se çfarë kishte ndodhur me Hindin dhe pjesën tjetër të familjes. Wissam po përpiqej në mënyrë të vazhdueshme të telefononte ata që ishin në makinë.
Thirrjet për ndihmë
Në mesditë, 15-vjeçarja, Layan, u përgjigj në telefon. Ajo tha se të gjithë në makinë ishin “duke fjetur” dhe se ajo dhe Hindi ishin të plagosura.
“Ne i thamë ta hiqte shallin, ta lidhte në plagë dhe të ndalonte gjakdrrjedhjen”, tha Wissam. Por Layan nuk mund të lëvizte, sepse makina ishte e mbushur fort me trupa.
Layan ia kaloi telefonin Hindit. Kur Wissam e pyeti vajzën e saj nëse ajo mund të dilte nga makina, Hind u përgjigj: “Do të doja, nënë, do të doja. Ata janë rreth meje nënë”. Këto fjali u përcollën më pas nga britma. “Ata po afrohen, janë shumë afër”, i tha Hind nënës së saj. Pastaj linja u ndërpre.
Familja më pas kontaktoi Shoqatën Palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe (PRCS) e cila u përpoq të telefononte vajzat në makinë. Pas disa përpjekjesh, Layan u përgjigj, por nuk kishte as kohë që punonjësi, Omar al Qam, të prezantohej.
“Ata po qëllojnë mbi ne”, tha Layan. “Tanket janë pranë nesh”.
Të shtëna armësh u dëgjuan teksa Omari qëndronte ende në linjë.
“Nuk kishte asnjë përgjigje nga fëmija me të cilin po flisja. As emrin nuk ia dija”, tha ai.
Biseda përfundoi me një britmë të tmerrshme mes zhurmës së të shtënave të forta. Linja telefonike u ndërpre, por PRCS-ja tentoi t’i thërriste vajzat përsëri. Këtë herë Hind u përgjigj. Ajo ishte vetëm në makinë, të gjithë të tjerët kishin vdekur.
Për më shumë se tri orë, përmes telefonatave të shumta, një tjetër punonjëse e PRCS-ës, Rana Faqhi, u përpoq ta mbante Hind në linjë teksa e qetësonte.
“Të lutem qëndro me mua derisa të vijë dikush, të lutem mos e mbyll telefonin”, i tha Hind punonjëses.
“Do të rri me ty, nuk do ta mbyll telefonin, do të rri me ty”, i tha Rana.
Edhe Wissam po fliste me vajzën e saj në telefon.
“I thashë, ule zërin, përndryshe do të të qëllojnë si Layanin”.
Gjysmëhëna e Kuqe dhe Wissam, përmes një telefonate në grup, mbajtën kontakte me vajzën, e cila vazhdonte të kërkonte që dikush të vinte dhe ta merrte. Nata filloi të binte, dhe Hind, e cila kishte frikë nga errësira, shqetësohej gjithnjë e më shumë.
“Do të vish të më marrësh?”, u përgjërua ajo. “Unë jam shumë e frikësuar, të lutem eja!”
Derisa kjo po ndodhte, kolegët e Ranas thonë se u përpoqën shumë që të koordinonin një ekip shpëtimi, duke kërkuar leje nga autoritetet izraelite për të dërguar një ambulancë në vendngjarje.
PRCS-ja thotë se është procedurë standarde që ajo dhe shërbimet e tjera të urgjencës, të koordinohen me ushtrinë izraelite, sepse shërbimet e tyre nuk mund të hyjnë dhe operojnë në zona të kufizuara ushtarake pa leje specifike.
Pas disa orë pritjeje, PRCS-ja thotë se leja më në fund u dha.
Një ambulancë u nis nga spitali “Al-Ahli” në qytetin e Gazës në orën 17:40. Dy mjekët ndihmës në bord, Yusuf Zeino dhe Ahmed al Madhoun, qëndruan në kontakt me punonjësit e PRCS-së derisa po nxitonin për te Hindi.
Audioja rrëqethëse e komunikimeve të tyre me PRCS-n është dhënë edhe në “Sky News”. Në regjistrim dëgjohet ekipi duke folur me dispeçerët. Nëna e Hind, Wissam Hamada, është në një linjë tjetër telefonike me PRCS-n e cila e mban atë të informuar.
“Janë shumë afër saj, janë rreth gjysmë kilometri larg, 400 metra”, e siguruan ata.
“A e keni marrë lejen, a është e sigurt?”, i pyeti Wissam.
“Po, ne kemi marrë lejen, e kemi zgjidhur atë, mos u shqetësoni”, thanë ata.
Një nga mjekët më pas pyeti: “Ku është vajza?”
“Vajza është në makinën e shkatërruar”, u përgjigj dispeçeri.
Rreth orës 18:00, ekipi i shpëtimit iu afrua makinës së familjes, duke u thënë dispeçerëve se i kishin ndezur dritat e urgjencës, por jo sirenën.
“Oh, ja ku është”, tha një nga mjekët ndihmës, pak para se komunikimi të ndërpritej befas me zhurmën e armëve të forta. Të dy punonjësit shëndetësorë u vranë.
Prania e IDF-së në zonë
Zëdhënësja e PRCS-ës, Nebal Farsakh, thotë se sipas saj ky nuk ishte aksident.
“Në çfarëdo zone ku zhvillohen operacione ushtarake dhe që konsiderohen si zona ushtarake nga forcat izraelite, neve na është mohuar qasja”, shpjegoi Nebal. “Ne nuk i dërgojmë ambulancat tona në zonat ushtarake... Nëse pranojmë telefonata nga këto zona, ne përpiqemi të koordinojmë qasjen dhe të marrim leje”.
IDF-ja konfirmoi se ishte kryer një “inspektim paraprak” për këtë incident.
“Dihet qartë se forcat e IDF-së nuk ishin të pranishme pranë automjetit ose brenda rrezes së vendit ku u sulmua automjeti i përshkruar, në të cilin u gjet vajza”, deklaruan autoritetet e IDF-së për “Sky News”.
“Duke pasur parasysh mungesën e forcave në zonë, nuk kishte nevojë për koordinim individual të itinerarit të ambulancës apo për ndonjë mjet shoqërues për ta marrë vajzën. Ambulancat lëvizin pa koordinim dhe leje individuale përreth Rripit të Gazës çdo ditë, dhe nuk kërkojnë leje nëse nuk ka forca në zonë”, shtuan autoritetet e IDF-së, për rastin e ambulancës.
Më 10 shkurt, pasi që zona ishte më e sigurt, u lokalizuan si ambulanca ashtu edhe makina me të cilën udhëtonin Hind dhe familja Hamada. Një nga xhaxhallarët e Hindit, Sameer Hamada, ishte i pari që mbërriti në vendngjarje.
“Kam gjetur makinën e tyre. Gjeta vëllanë tim Basharin. Gruaja e tij ishte pranë tij dhe ne gjetëm Layan, Raghad, Sarah, Mohammad dhe Hind prapa. Ata të gjithë u martirizuan. Trupat e tyre ishin të dekompozuar”, tha Sameer.
Ai gjeti edhe autoambulancën e djegur, në të cilën kishte “vetëm eshtra”. Sameer i tërhoqi trupat nga makina e familjes dhe i varrosi në një varrezë afër shtëpisë së tyre në veri.
Një ekip i “Sky News” mori pamje të makinës dhe ambulancës, të cilat u përdorën për ta analizuar dëmtimin e automjeteve. Sipas Amael Kotlarski, menaxher i ekipit të armëve në kompaninë “JANES”, e cila ofron analiza mbi sigurinë dhe mbrojtjen, ambulanca u godit me një “armë të kalibrit të madh”, me vrimën e daljes së predhës në pjesën e pasme të automjetit.
“Kia Picanto” e zezë ishte e mbuluar me vrima plumbash, me dhjetëra vrima hyrjeje në anën e djathtë të makinës. “Sky News” ka ekzaminuar imazhet satelitore të marra më 29 janar, ditën e sulmit.
Sipas imazheve, shihen të paktën 15 automjete ushtarake në lagjen “Tel al Hawa”, ku u gjet makina e familjes. Automjeti më i afërt ushtarak ishte vetëm 300 metra larg. Njëri prej imazheve satelitore është i orës 16:31, pak më shumë se një orë, përpara se PRCS-ja të thoshte se kishte marrë miratimin për të dërguar ambulancën.
Pamjet satelitore të marra në ditët pas sulmit tregojnë se sa e theksuar mbeti prania ushtarake, me të paktën 13 automjete ushtarake të para më 7 shkurt. Një ditë më vonë, më 8 shkurt, të paktën 9 automjete ushtarake u panë në zonën pranë Universitetit Islamik në qytetin e Gazës.
IDF-ja thotë se nuk ishte në zonë ditën e incidentit, por prania e saj në zonë u bë publike vetë, ndoshta gabimisht. Dymbëdhjetë ditë pas sulmit, në të njëjtën ditë kur u gjet makina dhe ambulanca, IDF-ja publikoi një deklaratë për shtyp për aktivitetet e saj në Gaza. Autoritetet e IDF-së deklaruan se “gjatë dy javëve të fundit” kishin “kryer bastisje ndaj objektivave terroriste” me forcat që operonin në lagjet “Shati” dhe “Tel al Hawa” në Gaza.
“Tel al Hawa” është e njëjta lagje ku Hind Rajab, familja Hamada dhe mjekët ndihmës u vranë. Deklarata për shtyp u fshi më vonë nga faqja e internetit e IDF-së.
Më tej në njoftimin për shtyp, IDF-ja bashkëngjiti video që tregonin lëvizjet e saj në zonë.
“Ne jemi në selinë qendrore të UNRWA-së në Gaza”, u dëgjua një ushtar të thoshte.
“Sky News” lokalizoi pamjet e IDF-së të publikuara më 10 shkurt, të cilat tregonin tri njësi, Brigadën 401, Shayetet 13 dhe Batalionin 52, që vepronin më pak se 650 metra larg, nga makina në të cilën u gjet Hind.
Ndonëse nuk është e qartë saktësisht se në cilën datë janë filmuar pamjet e publikuara, prania e IDF-së në zonë është e pamohueshme.
Lufta e Gazës është tejet unike pasi po zhvillohet në një hapësirë të izoluar, pa rrugëdalje dhe pa hetime të pavarura në terren mbi atë që po ndodh.
Ajo që ka ndodhur dhe sekretet që fshihen nën rrënoja mund të mos dihen kurrë.