Botë

Izraelitët kërkojnë përgjegjësi për dështimet në sulmin e 7 tetorit

Protestat izraelite kundër qeverisë së kryeministrit Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është nën presion të madh brenda shtetit për t'i dhënë fund luftës. Mijëra izraelitë u janë bashkuar demonstratave duke i bërë thirrje Qeverisë të arrijë një marrëveshje për t’i sjellë në shtëpi pengjet izraelite që ndodhen në robërinë e Hamasit. Po ashtu po kërkohen zgjedhje të reja. E pyetja që e kanë izraelitë është: Si ka mundësi që ushtria më e avancuar në rajon, me strukturën e saj lëvduese të inteligjencës, të ketë dështuar në parashikimin e sulmit terrorist të Hamasit?

Zemërimi përgjatë rrugëve të Izraelit ka arritur një nivel të ri, me mijëra njerëz që po marrin pjesë në protestat e cilësuara si “java e përçarjeve”. Protestuesit antiqeveritarë kanë bllokuar shumicën e autostradave kryesore, kanë organizuar protesta dhe kanë bërë thirrje për grevë të përgjithshme.

Protestuesit nuk kanë një, por disa kërkesa: marrëveshje për pengjet, zgjedhje të reja, rekrutim ushtarak për hebrenjtë ultraortodoksë, më shumë vëmendje për banorët e veriut, dhe jo vetëm. Përgjatë Izraelit, tabelat e protestuesve nëpër ndërtesa dhe autostrada bëjnë thirrje për “zgjedhje tani!” dhe krahas fotografive të kryeministrit Benjamin Netanyahu shihen shkrimet: “Ti je lideri, ti je fajtor”.

Por çështja që po i preokupon të gjithë në Izrael, tetë muaj pas sulmit të Hamasit më 7 tetor është: Si ka mundësi që ushtria më e avancuar në rajon, me strukturën e saj lëvduese të inteligjencës, të ketë dështuar në parashikimin e sulmit terrorist të Hamasit?

Thirrjet për një komision shtetëror hetimor sa u përket dështimeve të sigurisë dhe të inteligjencës që çuan në sulmin e 7 tetorit, janë duke u rritur vazhdimisht. Po kërkohet hetim për ngjarjen më vdekjeprurëse në histori të vendit. 

Megjithatë, analistët thonë se kjo nuk do të ndodhë nën udhëheqjen e Netanyahut. Dhe nëse ndodh, kjo nuk do të nxjerrë në dritë përgjigjet që po i kërkon vendi, edhe pse po dalin më shumë raportime rreth asaj që Izraeli e ka ditur paraprakisht për sulmin.

Provat e mbledhura

Të hënën, transmetuesi publik i Izraelit, “Kan 11”, ka shtuar prova të reja se udhëheqësit e vendit kanë mundur – ose të paktën, është dashur – ta dinë se sulmi ka qenë i mundshëm.

“Kan 11” ka detajuar një dokument nga Njësia 8200, divizioni kryesor i IDF-it për mbledhjen e inteligjencës, për planet e Hamasit për t’i sulmuar objektet ushtarake dhe komunitetet dhe të marrë rreth 200 deri në 250 pengje. Dokumenti është datuar më 19 shtator 2023, më pak se tri javë para sulmit të 7 tetorit. Ka qenë i çuditshëm një detaj i saktë në një pikë të caktuar: Hamasi ka marrë 250 pengje.

Sulmi i militantëve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor ka lënë të vrarë rreth 1200 njerëz - kryesisht civilë – dhe janë marrë peng rreth 250 të tjerë.

Pretendimi i fundit u shton peshë raportimeve të nëntorit nga gazetat “The New York Times” dhe “Haaretz” që inteligjenca ushtarake ka pasur informacion për planet e Hamasit për t’i pushtuar fortifikimet e Izraelit përreth Gazës, duke i lejuar militantët të futen brenda Izraelit jugor.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu Foto: AP

“Gjasat për hetim janë shumë të ulëta”

Në dhjetor, Avokati i Popullit i Izraelit, Matanyahu Englman, tha se do të hapte një hetim rreth dështimeve të inteligjencës para sulmit të Hamasit më 7 tetor. Disa muaj më vonë, duke hasur në probleme me bashkëpunimet nga zyra e kryeministrit dhe ushtrisë izraelite, Englmani i ka shkruar një letër zyrës së kryeministrit dhe shefit të stafit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) që detyra e tij ishte “të kryente një auditim gjithëpërfshirës të dështimit më të madh në historinë e vendit”.

Por këtë javë Gjykata e Lartë izraelite ka shtyrë hetimin, pasi ka rishikuar argumentet e klasifikuara nga agjencitë e sigurisë – duke e nxitur Englmanin e acaruar të pyesë nëse ekipet e tij duhet të "vendosin një shenjë ‘ne jemi në një pushim, do të kthehemi pas dy vjetësh’?"

Ndaras, IDF-i ka nisur një seri të hetimeve të brendshme më herët këtë vit rreth dështimeve që kanë çuar në sulmin e 7 tetorit, pasuar nga ekzaminime tjera të limituara të betejave individuale në ditën e sulmeve. Këto do t’ia mundësojnë Izraelit të mësojë nga gabimet e veta, edhe në luftën që po vazhdon. Rezultatet e para priten të publikohen në javët e ardhshme.

Çka është duke munguar është vegla më e fuqishme e hetimit të Izraelit – Komisioni shtetëror hetimor – i penguar nga kryeministri izraelit Netanyahu dhe aleatët e tij, të cilët janë përpjekur ta shtyjnë deri pas luftës. Një komision shtetëror hetimor është një organ i pavarur me kompetenca të gjera, duke e përfshirë aftësinë e detyrimit të dëshmitarëve për të dëshmuar.

Por mjeti kryesor për nisjen e një komisioni të tillë është vendimi i qeverisë dhe kjo qeveri e ka bërë të qartë se nuk e ka këtë plan askund në agjendën e tanishme. 

“Gjasat për një hetim të tillë janë shumë, shumë të ulëta”, thotë Raanan Sulitzeanu-Kenan, profesor i politikave publike në Universitetin Hebraik në Jerusalem. “Në 17 vjet të qeverisjes së Netanyahut, ne nuk e kemi pasur asnjë hetim”. 

Historikisht, Izraeli kishte pasur një hetim publik gati çdo dy vjet, sipas tij, por jo nën liderin e tanishëm që shërben që një kohë. Blerja e nëndetëseve gjermane dhe anijeve sipërfaqësore ka nxitur një hetim në vitin 2022, por vetëm gjatë periudhës 18-mujore në të cilën Netanyahu ka qenë jashtë detyrës.

“Edhe pse është shumë e qartë se një hetim i tillë duhet të mbahet, gjasa politike është gati zero në qeverinë e tanishme”, thotë Sulitzeanu-Kenan. “Kur e cakton hetimin publik, ti dërgon të paktën një mesazh të nënkuptuar se diçka e gabuar ka ndodhur”.

Në qershor, prokurori i përgjithshëm i Izraelit ka thënë se Komisioni i hetimit ka qenë “masa më e përshtatshme ligjore” për t’i hetuar rrethanat që kanë çuar në sulmin e 7 tetorit. Sipas Gali Baharav-Miara, hetimi mund t’i zëvendësojë hetimet nga “gjykatat ndërkombëtare”, referencë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila është duke e hetuar Izraelin për krime potenciale të luftës të kryera gjatë luftës së tij në Gaza.

GJND-ja ka vendosur në maj që Izraeli duhet ta ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake dhe veprimet e tjera në Rafah, qytetin më jugor të Gazës, duke përmendur "rrezikun e menjëhershëm" për popullin palestinez. Urdhri i GJND-së e ka rritur më tej presionin ndërkombëtar mbi një Izrael, gjithnjë e më të izoluar, për ta frenuar luftën e tij kundër Hamasit në Gaza.

Por sekretari i kabinetit të Netanyahut është përgjigjur duke thënë se vendi është “në mes të një lufte intensive”.

“Nuk është koha e përshtatshme për t’i hetuar të gjitha ngjarjet e luftës dhe atë që e ka shkaktuar luftën”, ka shkruar Yossi Fuchs, si përgjigje ndaj Baharav-Miara.

Komisionit shtetëror hetimor gjithashtu mund t’i duhet një kohë goxha e gjatë, sidomos nëse ka pyetje për dështimet e sistemit, ka thënë Yohanan Plesner, presidenti i Institutit Demokratik të Izraelit, me seli në Jerusalem.

“Kur i përzien të gjitha këto së bashku, ndoshta mund të mbetesh me asgjë”, ka thënë Plesneri. 
Masat më të mira për ta kuptuar dështimin e 7 tetorit ka qenë duke e ndarë atë në probleme më të vogla dhe më të menaxhueshme, ka thënë ai, si ndarja e dështimeve të inteligjencës nga ato të doktrinës së operacioneve.

“Duke e parë ndërlikimin e situatës, përfshirë këtu edhe interesat politike dhe moshën e polarizimit në të cilën jetojmë, unë nuk jam i sigurt se ndonjëherë do ta kemi një përgjigje të njohur për këtë problem”, ka thënë Plesneri.

Netanyahu i ka thënë Dana Bashit të CNN-it në nëntor se ai do t’iu përgjigjej “të gjitha pyetjeve që kërkohen” dhe “këto përgjigje do të adresohen pas luftës”. Pozicioni i tij nuk ka ndryshuar gati fare që atëherë, i shënuar nga mohimi i çdo përgjegjësie për dështimet e 7 tetorit.

Pasojat e sulmit të 7 tetorit Foto: AP

Refuzimi në të vetëquajturin “Z. Siguria” i Izraelit për ta marrë fajin qëndron në kontrast të plotë me IDF-in, ku oficerët e lartë kanë dhënë dorëheqjen për dështimet për ta ndaluar sulmin më të keq terrorist në historinë e vendit.

Gjenerali Aharon Haliva, i cili ka qenë komandant i inteligjencës ushtarake të IDF-it, në mënyrë të qetë në prill tha se ai do të tërhiqej nga pozita. Në ditët pas sulmit të 7 tetorit, ai ka pranuar se ka pasur “dështim të inteligjencës” në mosarritjen për t’i detektuar planet e sulmit të Hamasit. Haliva është bërë zyrtari i parë i lartë për ta pranuar përgjegjësinë për dështimet, por jo edhe i fundit.

“Drejtoria e Inteligjencës nën komandën time nuk e ka përmbushur detyrën që na ishte besuar. E mbaj atë ditë të zezë me vete qysh atëherë, ditë pas dite, natë pas nate. Dhimbjen e tmerrshme të luftës do ta mbaj me vete përgjithmonë”, ka shkruar Haliva në letrën e dorëheqjes.

Në qershor, kreu i divizionit të IDF-it në Gaza, gjenerali Avi Rosenfeld, gjithashtu ka thënë se do të tërhiqet. Në një letër publike, ai ka thënë: “Të gjithë duhet ta mbajnë përgjegjësinë për pjesën e tyre”. 
Pritet gjerësisht se zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë do të dorëhiqen gjithashtu si shkak i fushatës së IDF-it në Gaza.

Ish-shefi i shtabit të IDF-it, Gadi Eisenkot, anëtar i kabinetit të luftës së Izraelit deri para dorëheqjes së tij në fillim të këtij muaji, ka thënë se të gjithë që kanë pozitën e liderit duhet të tërhiqen, duke përfshirë edhe ata në Komandën Jugore të IDF-it, Drejtorinë e Inteligjencës Ushtarake, shefin e Shtabit të IDF-it, kreun e Shin Bet, ministrin e Mbrojtjes dhe kryeministrin.

Eisenkoti u ka thënë lajmeve “Channel 12”  të Izraelit: “Dështimi është aq i madh saqë asnjë prej tyre nuk mund të qëndrojë më në zyrë”.

Por pa një fund të qartë të luftës në horizont, kjo përgjegjësi ka të ngjarë të mos vijë për një kohë të gjatë.