Izraeli të hënën mbrëma ka kryer sulme në lindje të qytetit jugor Rafah, disa orë pasi që Hamasi tha se ka pranuar marrëveshjen për armëpushim të propozuar nga Egjipti e Katari. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se propozimi është “larg së plotësuari kërkesat e Izraelit”. Ai ka thënë se kabineti i luftës ka vendosur që të vazhdohet me operacionin e planifikuar në Rafah, ndërsa është dërguar një delegacion për të negociuar për armëpushim
Hamasi njoftoi të hënën se ka pranuar propozimin e Egjiptit dhe Katarit për armëpushim në Gaza, mirëpo Izraeli ka thënë se propozimi është “larg së plotësuari kërkesat e tij” dhe ka kryer sulme në lindje të qytetit jugor Rafah, raporton BBC.
Në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare, Hamasi ka thënë se lideri i tij Ismail Haniyeh ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Katarit, sheikun Mohammed bi Abdulrahman al Thani, dhe me ministrin e Inteligjencës së Egjiptit, Abbas Kamel, dhe i ka informuar se Hamasi pranon propozimin e tyre për armëpushim. Ai ka thënë se “topi tash është në fushën e Izraelit”.
Në Gaza janë parë qytetarët duke festuar në spitalin “Aq Aqsa” pas lajmit se Hamasi ka pranuar marrëveshjen.
Vendimi i Hamasit erdhi vetëm disa orë pasi që Izraeli kërkoi nga rreth 100 mijë palestinezë që të largohen nga lindja e qytetit jugor Rafah, me arsyetimin se do të zhvillojë një “operacion të limituar ushtarak”. E disa orë pasi Hamasi njoftoi për pranimin e armëpushimit, ushtria e Izraelit bëri të ditur se ka kryer sulme ndaj shënjestrave të këtij grupi në lindje të Rafahut. Xhihadi Islamik Palestinez në kundërpërgjigje ka lansuar raketa në drejtim të Izraelit.
Nga zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, është thënë se propozimi “është larg plotësimit të kërkesave të Izraelit” dhe se do të dërgohet një delegacion për të diskutuar për armëpushim.
Netanyahu ka thënë se kabineti i luftës i Izraelit ka vendosur të vazhdojë ofensiva në tentim për t’i bërë presion Hamasit për lirim të pengjeve.
E familjarët e pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza nga Hamasi kanë dalë në rrugë në Tel-Aviv duke kërkuar nga qeveria “të shfrytëzojë mundësinë” për një marrëveshje paqeje dhe kthim të pengjeve në shtëpi.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit që të “bëjnë milje shtesë” për të arritur te një marrëveshje.
E zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë në një konferencë për media se Izraelit i duhet kohë për të rishikuar propozimin për armëpushim.
“Ne kemi marrë përgjigje nga Hamasi, do ta vlerësojmë atë. Izraelitët duhet të kenë, po ashtu, mundësinë ta shohin propozimin”, ka thënë Kirby.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mirëpritur pranimin e propozimit nga Hamasi. Ai u ka bërë thirrje shteteve perëndimore ta rrisin presionin ndaj Izraelit.
Lufta Izrael – Hamas nisi më 7 tetor, kur pjesëtarët e Hamasit u futën në jug të Izraelit dhe vranë rreth 1200 persona e kidnapuan 252 pengje, bazuar në statistikat e Izraelit.
Në kundërpërgjigje Izraeli nisi ofensivën në Gaza, gjatë së cilës janë vrarë mbi 34.700 persona sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazas.
Të hënën, para se Hamasi të njoftonte se ka pranuar propozimin për armëpushim, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë zhvilluar një bisedë telefonike.
Biden ka theksuar se një armëpushim me Hamasin është mënyra më e mirë për të mbrojtur jetën e pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza, tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në kushte anonimiteti.
Aleatët më të afërt të Izraelit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë thënë vazhdimisht se Izraeli nuk duhet ta sulmojë Rafahun. Operacioni i afërt ka ngritur alarmin global mbi fatin e rreth 1.4 milionë palestinezëve të strehuar atje.
Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar se një ofensivë do të përkeqësojë katastrofën humanitare të Gazës dhe do të sjellë një rritje të më shumë vdekjeve civile në një fushatë izraelite që në gati shtatë muaj ka vrarë 34 mijë njerëz dhe ka shkatërruar territorin.
Nënkoloneli i Izraelit, Nadav Shoshani, një zëdhënës i ushtrisë, tha se rreth 100 mijë njerëzve po u kërkohet të largohen nga pjesë të Rafahut në një zonë humanitare të shpallur nga Izraeli të quajtur Muwasi, një kamp i improvizuar në bregdet.
Ai tha se Izraeli ka zgjeruar madhësinë e zonës dhe se ajo përfshin tenda, ushqim, ujë dhe spitale fushore.