21 rezervistë të ushtrisë izraelite janë vrarë nga shpërthimi i minave që i vendosi ushtria izraelite në dy ndërtesa në Gaza, ndërkaq të tjerët kanë vdekur kur një raketë palestineze goditi tankun izraelit
Ushtria izraelite ka deklaruar se 24 ushtarë të saj janë vrarë në Gaza të hënën – një prej ditëve më vdekjeprurëse për forcat izraelite që kur ka nisur lufta kundër Hamasit.
Të paktën 21 rezervistë kanë vdekur nga një shpërthim i shkaktuar nga minat që i kishin vendosur forcat izraelite në dy ndërtesa, kanë njoftuar Forcat Izraelite të Mbrojtjes.
Mendohet se 3 të tjerë kanë vdekur kur një raketë palestineze goditi tankun e tyre.
Forcat izraelite kanë deklaruar se janë duke u hetuar të gjitha vrasjet e ushtarëve. Ndërkaq Ministria palestineze e Shëndetësisë ka deklaruar se 195 palestinezë janë vrarë në 24 orët e fundit. Rezervistët izraelitë janë vrarë në qendër të Gazës të hënën.
Sipas ushtrisë izraelite, rezervistët ishin të përfshirë në kthimin e izraelitëve që kishin ikur nga shtëpitë e tyre gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se me gjithë humbjet, shteti i tij do të vazhdojë me ofensivën deri në fitoren absolute kundër Hamasit.
Funeralet e ushtarëve të vrarë në shpërthim janë mbajtur në malin Herzl në Jerusalem. Shumë prej pjesëmarrësve ishin ushtarakë dhe varrezat ishin të mbushura me flamuj izraelitë.
Në Gaza është raportuar për luftime afër tri spitaleve në Khan Younis në jug. Të gjitha spitalet janë të stërngarkuara me pacientë.
IDF-ja ka njoftuar se qyteti është i rrethuar plotësisht. Khan Younis ka qenë caku kryesor i ofensivës tokësore kundër Hamasit.
Izraeli beson se liderët e grupit mund të jenë duke u fshehur në këtë qytet dhe se këtu po mbajnë pengjet izraelite.
Sipas IDF-së, dhjetëra militantë janë vrarë gjatë operacionit dhe ushtarët kanë gjetur lansues raketash në shumë pjesë të qytetit.
Palestinezët kanë raportuar se tri gra dhe fëmijët e tyre janë vrarë në luftimet e fundit në qytet. Ata kanë thënë se bllokimi nga ushtria izraelite dhe sulmet ndaj spitaleve kanë pamundësuar shpëtimin e të plagosurve nëpër zonat e tjera të Rripit të Gazës.
Palestinezët kanë thënë se të vdekurit janë duke u varrosur nëpër hapësirat e spitalit Nasser, sepse nuk mund t’i transportojnë nëpër varrezat e qytetit.
Të martën është raportuar se forcat izraelite kanë sulmuar edhe spitalin “Al-Khair”, i cili ndodhet në zonën Al-Mawasi në perëndim. Ushtria izraelite ka arrestuar stafin e spitalit.
Izraeli nisi luftën me qëllimin për ta shkatërruar Hamasin pas sulmit të militantëve më 7 tetor të vitit 2023, gjatë të cilit u vranë 1 mijë e 300 persona, shumica civilë.
Sipas IDF-së, 217 ushtarë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit tokësor të Izraelit më 27 tetor nga gjithsej 552 të vrarë që nga 7 tetori.
Të paktën 25.490 persona - kryesisht gra dhe fëmijë - janë vrarë në fushatën ushtarake izraelite në Gaza.