Botë

Izraeli urdhëron ushtrinë të bëhet gati për “largim vullnetar” të palestinezëve nga Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka urdhëruar ushtrinë të enjten të përgatisë një plan për të mundësuar “largimin vullnetar” të banorëve nga Gaza, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi dy ditë më parë se SHBA-ja synon ta marrë territorin nën kontroll dhe ta rindërtojë atë.  

Katz për më tepër ka përshëndetur njoftimin e Trumpit për rivendosjen e më shumë se 2 milionë palestinezëve që jetojnë atje, dhe për transformimin e territorit në "Rivierën e Lindjes së Mesme", raporton Reuters.

"Unë e mirëpres planin e guximshëm të presidentit Trump, banorëve të Gazës duhet t'u mundësohet liria të largohen dhe të emigrojnë, siç është norma në mbarë botën”, ka shkruar Katz në X.

Katz ka thënë se plani i tij do të përfshijë opsionet e daljes nëpërmjet kalimeve tokësore, si dhe rregullime të veçanta për nisjen nga deti dhe ajri.

Zhvendosja e palestinezëve është një nga çështjet më të ndjeshme në Lindjen e Mesme. Zhvendosja e detyruar e një popullsie nën okupimin ushtarak është një krim lufte, i ndaluar sipas Konventave të Gjenevës të vitit 1949.

Sulmet izraelite që vranë mbi 47 mijë njerëz gjatë 16 muajve të fundit i kanë detyruar palestinezët të lëvizin vazhdimisht brenda Gazës, duke kërkuar siguri.

Por shumë thonë se nuk do të largohen kurrë nga enklava sepse i frikësohen zhvendosjes së përhershme, si "Nakba" (spastrimi etnik i arabëve palestinezë nëpërmjet zhvendosjes së tyre të dhunshme), apo katastrofës, kur qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë në luftën gjatë krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948.

Shumë u dëbuan ose u larguan në Gaza për në Bregun Perëndimor dhe shtetet fqinje arabe, duke përfshirë Jordaninë, Sirinë dhe Libanin, ku pasardhësit e tyre ende jetojnë në kampe refugjatësh.

Izraeli kundërshton rrëfimin se ata u dëbuan me forcë.

Katz ka thënë po ashtu se vendet që kanë kundërshtuar operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza duhet të pranojnë palestinezët.

"Vendet si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe të tjera, të cilat kanë ngritur akuza dhe pretendime të rreme kundër Izraelit për veprimet e tij në Gaza, janë ligjërisht të detyruara të lejojnë çdo banor të Gazës të hyjë në territoret e tyre”, është shprehur ai. 

"Hipokrizia e tyre do të ekspozohet nëse ata refuzojnë ta bëjnë këtë. Ka vende si Kanadaja, e cila ka një program të strukturuar imigrimi, që kanë shprehur më parë një gatishmëri për të pranuar banorët e Gazës”, ka shtuar ai. 

Vërejtjet e tij nxitën kritika të shpejta nga ministrit i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares.

“Toka e Gazës është Gaza, dhe Gaza duhet të jetë pjesë e shtetit të ardhshëm palestinez”, ka deklaruar Albares në një intervistë me radio stacionin spanjoll RNE.

Njoftimi i papritur i Trumpit, i cili ka shkaktuar zemërim në Lindjen e Mesme, ka ardhur në kohën kur Izraeli dhe grupi militant Hamas pritej të fillonin bisedimet për rundin e dytë të një plani armëpushimi, për t'i dhënë fund luftimeve gati 16 mujore në Gaza.

LEXO EDHE: