Botë

Izraeli thotë se ka vrarë një lider të Hezbollahut

Hezbollahu dhe Izraeli

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë thënë se kreu i njësisë së dronëve të Hezbollahut është vrarë nga një sulm izraelit në jug të Bejrutit. Sipas tyre, avionët luftarakë e kanë sulmuar Bejrutin dhe e kanë vrarë Mohammad Hussein Sururin. Hezbollahu nuk ka komentuar rreth kësaj çështjeje, ka raportuar Reuters.

IDF-ja ka thënë se Sururi i është bashkuar Hezbollahut në vitet ’80 dhe ka “drejtuar e komanduar” shumë sulme të dronëve që kanë shënjestruar Izraelin.

Hezbollahu ka pasur një njësi të dronëve për një kohë të gjatë dhe ka përdorur disa në luftën e vitit 2006 kundër Izraelit. Por, vetëm më 8 tetor pas fillimit të sulmeve ndërkufitare mes grupit militant dhe Izraelit, dronët u bënë një nga mjetet kryesore në operacionet e Hezbollahut.

Dronët përdoren nga Hezbollahu në operacionet e vëzhgimit, por edhe si armë pasi disa prej tyre janë të ngarkuar me eksplozivë. Edhe pse mendohet se Hezbollahu ka dronë iranianë, grupi gjithashtu i prodhon ata, siç ka thënë lideri i tij, Hassan Nasrallah.