Sulm në kamp refugjatësh

Izraeli thotë se ka vrarë 10 “terroristë” në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite

Forcat izraelite

Foto: Associated Press

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të njohur ndryshe si IDF, kanë thënë të shtunën se kanë vrarë 10 "terroristë" në një operacion në vazhdim në Nur al-Shams, një kamp refugjatësh në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.

“Forcat e IDF-së dhe të Policisë Kufitare të Izraelit po vazhdojnë aktivitetin e gjerë kundër terrorizmit në zonën e Nur Shams. Deri më tani, forcat e sigurisë eliminuan dhjetë terroristë gjatë përleshjeve, kapën tetë të dyshuar të kërkuar, gjetën mjete shpërthyese dhe kryen kontrolle në struktura”, tha IDF në një deklaratë, raporton CNN.

Forcat kanë thënë se gjetën dhe shkatërruan një laborator të eksplozivëve terroristë dhe konfiskuan armë të shumta.

IDF-ja ka thënë se tetë nga ushtarët e saj dhe një oficer i Forcave Kufitare u plagosën gjatë aksionit. Më herët të shtunën, agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, Ëafa, tha se pesë persona ishin vrarë gjatë operacionit të Izraelit në Nur al-Shams.

Një nga të vrarët ishte një fëmijë, sipas ëafa, ndërsa ministria palestineze e Shëndetësisë tha se një tjetër ishte 16 vjeç. Operacioni duket të jetë një nga më të mëdhenjtë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori.