Botë

Izraeli thotë se ka gjasa që është vrarë pasuesi i Nasrallahut

Yoav Gallant

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë të martën se siç duket, zëvendësuesi i ish-liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah është eliminuar.

Ai nuk ka dhënë detaje të tjera.

Hashem Safieddine, zyrtar i lartë i Hezbollahut është pritur se do ta pasonte Nasrallahun, raporton Reuters.

“Hezbollahu është organizatë pa udhëheqës. Nasrallahu është eliminuar, zëvendësimi i tij me siguri është eliminuar gjithashtu”, u ka thënë Gallant oficerëve në qendrën e komandës veriore të ushtrisë, në një segment të shkurtër video të shpërndarë nga ushtria. “Nuk ka kush merr vendime, kush të veprojë”.

Safieddine kishte drejtuar Hezbollahun së bashku me zëvendëssekretarin e përgjithshëm, Naim Qassem që nga vrasja e Nasrallahut dhe pritej të zgjidhej zyrtarisht si sekretar i përgjithshëm, edhe pse ende nuk ishte bërë asnjë njoftim zyrtar.

Qassemi tha në një deklaratë televizive të martën se grupi do të zgjedhë një sekretar të ri të përgjithshëm dhe do ta shpallë atë pasi të jetë kryer kjo punë.

Netanyahu thotë se forcat izraelite e kanë vrarë pasuesin e Nasrallahut

6 muaj më parë / 8 tet 2024 19:33
Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Pas dyshimeve të shprehura nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, se zëvendësuesi i ish-liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, është eliminuar, kryeministri Benjamin Netanyahu, ka thënë se Hashem Safieddine është vrarë, raportoi të martën BBC-ja.

“IDF-ja e ka eliminuar Hashem Safieddinen. Hezbollahu është më i dobër se sa ka qenë për shumë e shumë vjet”, ka thënë ai. 

Netanyahu tutje ka thënë se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t’i kthyer njerëzit në shtëpi të sigurt, si dhe ta ndalojë Hezbollahun. 

"Izraeli do të fitojë”, ka thënë ai në një video drejtuar popullit të Libanit.

Por zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) Daniel Hagari thotë se ata nuk mund të konfirmojnë që Safieddine u vra në një sulm ajror javën e kaluar dhe se ata janë ende duke kërkuar në rezultatet e sulmit.