Shpërthime dhe sirena për të paralajmëruar nga sulmet ajrore janë dëgjuar në orët e hershme të së dielës në Izrael, pasi Irani lansoi qindra dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese në një mision të paprecedentë të hakmarrjes që shtyn Lindjen e Mesme më afër një lufte të gjerë rajonale, raporton agjencia “AP”.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka thënë se Irani lansoi në total mbi 300 dronë e raketa, por 99 për qind prej tyre u shkatërruan me ndihmën edhe të aleatëve.
Admirali Daniel Hagari e ka quajtur këtë “një sukses shumë të madh strategjik”. Irani lansoi 170 dronë, mbi 30 raketa lundruese dhe mbi 120 raketa balistike. Nga këto, disa raketa balistike arritën në territorin izraelit, duke shkaktuar dëme të vogla në një bazë ajrore.
Ekipet e shpëtimit kanë thënë se një vajzë shtatëvjeçare në qytetin Bedouin Arab në jug të Izraelit ka marrë lëndime serioze, pas shpërthimit të një rakete, ndonëse policia ende është duke hetuar rrethanat se si u lëndua ajo.
Në Washington, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se forcat amerikane kanë ndihmuar Izraelin të rrëzojë “gati të gjithë” dronët dhe raketat iraniane dhe ka thënë se do t’i mbledhë aleatët për të bërë një reagim të unifikuar.
Sulmi iranian, më pak se dy javë pasi në një sulm të dyshuar izraelit në Siri u vranë dy gjeneralë iranianë brenda Konsullatës së Iranit, ka shënuar herën e parë që Irani lansoi sulm direkt ushtarak ndaj Izraelit, përkundër dekadave armiqësi që datojnë nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Ushtria izraelite ka thënë se disa nga lansimet u bënë nga Iraku dhe Jemeni.
“Ne kemi shkatërruar, kemi bllokuar dhe do të fitojmë së bashku”, ka thënë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një postim në platformën “X”.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një seancë emergjente të dielën.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Hagari, ka thënë se shumica e dronëve e raketave iraniane u shkatërruan jashtë kufijve të Izraelit, përfshirë 10 raketa lundruese që u shkatërruan nga aeroplanë ushtarakë.
“Sulmi i shkallës së gjerë nga Irani është përshkallëzim i madh. Ushtria do të bëjë çfarëdo që të jetë e nevojshme për ta mbrojtur sigurinë e shtetit të Izraelit”, ka thënë Hagari.
Ai ka thënë se dhjetëra aeroplanë ushtarakë izraelitë janë ende në gatishmëri për të bllokuar sulmet.
Ushtria e Izraelit ka thënë se sistemi i saj “Arrow”, ka bërë pjesën më të madhe të bllokimeve dhe ka thënë se “partnerët strategjikë” po ashtu janë përfshirë.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se falë “shkathtësive të jashtëzakonshme të ushtarëve amerikanë, u ndihmua Izraeli të rrëzoi gati të gjithë dronët e raketat” iraniane.
Biden ka zhvilluar në orët e hershme të së dielës një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
E sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, ka dënuar sulmin dhe ka thënë se “SHBA-ja nuk do të hezitojë ta përkrahë mbrojtjen e Izraelit”.
Irani kishte paralajmëruar hakmarrje për sulmin e 1 prillit në Siri, për të cilin e akuzoi Izraelin. Izraeli nuk e kishte komentuar sulmin.
Irani e kishte quajtur sulmin e të shtunës si “Operacioni Premtimi i Vërtetë”.
Izraeli paralajmëron përgjigje ndaj sulmeve të Iranit “kur të jetë koha e duhur”
Izraeli ka thënë se do të kërkojë përgjegjësi nga Irani në përgjigje të sulmit të tij me raketa dhe dron. Por këtë do ta kërkojnë kur të jetë koha e duhur, ka thënë të dielën ministri izraelit, Benny Gantz.
“Ne do të ndërtojmë një koalicion rajonal dhe do të marrim çmimin nga Irani në mënyrën dhe kohën e duhur për ne”, tha Gantz në një deklaratë ndërsa kabineti i luftës në qeverinë izraelite do të mblidhet për të diskutuar përgjigjen e Izraelit ndaj sulmit të Iranit.
Irani e quan të “limituar e të suksesshëm” sulmin ndaj Izraelit
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka përgëzuar trupat e Gardës Revolucionare Islamike, duke thënë se “i kanë dhënë mësim regjimit Zionist”.
“Ndëshkimi i agresorit, që ishte premtim i liderit suprem, është përmbushur”, ka thënë presidenti iranian, raporton “Al Jazeera”.
Ai ka thënë se operacioni ishte “brenda kornizave të së drejtës për vetëmbrojtje”, në kundërpërgjigje ndaj veprimet agresive të Izraelit.
Një komandat i Gardës Revolucionare Islamike ka thënë për “Al Jazeeran” se “operacioni ishte i kufizuar dhe suksesshëm”.
Shefi i OKB-së dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit, ndërsa i ka bërë thirrje “gjitha palëve të përmbahen maksimalisht”, raporton “BBC”.
“U bëjë thirrje gjitha palëve të përmbahen maksimalisht për të evituar çdo veprim që do të çonte në konfrontime të mëdha ushtarake në shumë fronte në Lindje të Mesme. E kam përsëritur vazhdimisht se as rajoni e as bota nuk mund ta përballojë një luftë tjetër”, thuhet në reagimin e Guterresit.
Irani lansoi mbi 300 dronë e raketa në drejtim të Izraelit në orët e vona të së shtunës. Ato arritën në territorin izraelit në orët e hershme të së dielës, por Izraeli ka thënë se “99 për qind e tyre” u shkatërruan, falë edhe të ndihmës nga aleatët.
Irani paralajmëron Izraelin dhe SHBA-në
Irani ka paralajmëruar Izraelin për sulm më të gjerë në rast se tenton të hakmerret për sulmin me dronë e raketa që Tehrani bëri ndaj territorit izraelit të dielën, raporton “Jerusalem Post”. Tehrani po ashtu ka paralajmëruar SHBA-në të mos mbështes veprimet ushtarake të Izraelit.
“Reagimi ynë do të jetë dukshëm më i madh sesa veprimi ushtarak i mbrëmshëm, nëse Izraeli hakmerret ndaj Iranit”, ka thënë shefi i forcave iraniane, gjeneral-majori Mohammad Bagheri për televizionin shtetëror iranian.
Komandanti i Gardës Revolucionare Islamike, Hossein Salami, po ashtu ka paralajmëruar se Tehrani do të hakmerret ndaj çdo sulmi izraelit.
Izraeli dhe Jordania rihapin hapësirën ajrore
Izraeli ka rihapur hapësirën ajrore në mëngjesin e të dielës, disa orë pas sulmit të paprecedent të Iranit, raporton “The Jerusalem Post”.
Autoriteti i Aeroporteve i Izraelit ka thënë se hapësira ajrore e Izraelit është hapur rreth orës 7:30 të mëngjesit me kohë lokale.
Po ashtu edhe Jordania ka rihapur hapësirën ajrore disa orë pasi e kishte mbyllur atë shkaku i fillimit të sulmit të Iranit.
Irani lansoi mbi 300 dronë e raketa në drejtim të Izraelit të shtunën mbrëma, në një sulm hakmarrës. Izraeli tha se 99 për qind të tyre i shkatërroi.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së cakton seancë emergjente
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të dielën për një seancë të jashtëzakonshme pas sulmit me dronë dhe raketa të Iranit ndaj Izraelit, raporton "BBC".
Takimi është ftuar nga Izraeli, i cili në një letër dërguar kryesueses së Këshillit, Vanessa Frazier, ka thënë se “sulmi paraqet rrezik të madh ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Në letër akuzohet Irani se ka shkelur obligimet ndërkombëtare dhe se është “arkitekt i jostabilitetit” në rajon nëpërmjet Hamasit në Gaza, Hezbollahut në Liban dhe Houthive në Jemen.
Izraeli ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit që ta shpallë Gardën Revolucionare Islamike – njësit kryesor i forcave të armatosura të Iranit – si organizatë terroriste.
Në një letër tjetër dërguar kryesueses Frazier, Irani ka thënë se e ka mbrojtur veten, duke e cituar “nenin 51 të Kartës së OKB-së për vetëmbrojtje”.
Seanca është paraparë të mbahet rreth orës 22:00.
Hakmarrja e Iranit, Bideni do të mbledhë liderët e G7
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se do të diskutojë me liderët e G7 të dielën për të “koordinuar një sulm të bashkuar diplomatik” pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit.
Ai ka thënë se ekipi i tij është në kontakt të ngushtë me liderët e Izraelit.
Bideni ka thënë se ndonëse SHBA-ja s’ka parë ndonjë sulm ndaj infrastrukturës së saj, ajo “nuk do të hezitojë të marrë gjitha masat” për t’i mbrojtur qytetarët amerikanë.
Bideni ka thënë se SHBA-ja ka ndihmuar Izraelin t’i rrëzojë gati të gjithë dronët dhe raketat e lansuara nga Irani.
Ai ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, duke i ofruar përkrahje.
“I kam thënë atij se Izraeli ka dëshmuar kapacitetin e jashtëzakonshëm për t’u mbrojtur dhe madje edhe ngadhënjyer edhe në një sulm të tillë të paprecedent. Izraeli u ka dërguar mesazh të qartë armiqëve se nuk mund t’ia kërcënojnë sigurinë”, tha Biden, raporton "AP".