Ushtria izraelite ka thirrur rezervistët në përgatitje për një rifillim të mundshëm të luftimeve në Gaza, nëse Hamasi nuk arrin të përmbushë afatin e së shtunës për të liruar pengjet izraelite që parashihej sipas planit të armëpushimit, që ka hyrë në fuqi më 19 janar.
Sipas marrëveshjes, grupi militant palestinez ka rënë dakord të lirojë tri pengje të tjerë të shtunën. Por grupi ka bërë të ditur të hënën se ka vendosur të pezullojë dorëzimin me arsyetimin se pala izraelite ka shkelur armëpushimin, raporton Reuters.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar të hënën në mbrëmje se të gjithë pengjet duhet të lirohen deri në mesditë të së shtunës, përndryshe ai "do të lejonte të shpërthejë ferri" në Gaza.
Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka vendosur të martën ultimatum Hamasit, duke i thënë se nëse nuk i lironte pengjet deri të shtunën në ora 12:00, luftimet do të riktheheshin.
Netanyahu ka deklaruar se kishte urdhëruar ushtrinë të mblidhte forcat në dhe rreth Gazës dhe ushtria ka njoftuar më pas se po vendoste forca shtesë në jug të Izraelit, duke përfshirë mobilizimin e rezervistëve.
Përplasja kërcënon të rindezë një konflikt që ka shkatërruar Rripin e Gazës, ka zhvendosur brenda vendit shumicën e njerëzve të tij dhe ka shkaktuar mungesë ushqimi, të ujit të rrjedhshëm dhe strehimit, dhe e ka shtyrë Lindjen e Mesme në prag të një lufte më të gjerë rajonale.
Ndërkaq, një zyrtar i Hamasit ka thënë të mërkurën për BBC-në se grupi do të lironte pengjet nëse ndërmjetësit do të aktivizoheshin për të korrigjuar situatën.
Sipas Hamasit, grupi nuk është i interesuar për prishjen e armëpushimit.
Lufta e Gazës u shkaktua nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë të paktën 1200 njerëz dhe më shumë se 250 u morën si pengje në Gaza, sipas të dhënave izraelite.
Si përgjigje, Izraeli filloi një ofensivë ushtarake kundër Hamasit që ka shkatërruar enklavën bregdetare dhe ka vrarë më shumë se 48,000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës.
LEXO EDHE: