Izraeli ka sulmuar një shkollë në zonën e kampit të refugjatëve Nuseirat, në Gazën qendrore të martën dhe ka lëshuar një tjetër urdhër evakuimi masiv për disa pjesë të qytetit të Gazës.
Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se si pasojë e sulmit ndaj shkollës e cila është strukturë e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA), janë plagosur shumë persona, raporton “Al-Jazeera”.
Sulmet izraelite të së martës kanë shënjestruar edhe lagjen Tal as-Sultan në perëndim të qytetit Rafah, si pasojë e të cilave tre persona janë vrarë.
E si shkak i këtyre sulmeve zyrtari i Hamasit, Ismail Haniyeh ka paralajmëruar për “pasoja katastrofike” mbi bisedimet për armëpushim nëse vazhdojnë “masakrat, vrasjet dhe evakuimet” në Gaza.
Të paktën 38.193 njerëz janë vrarë dhe 87.903 janë plagosur në luftën e Izraelit në Gaza që nga 7 tetori. Numri i të vdekurve në Izrael nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi vlerësohet të jenë 1.139, me dhjetëra njerëz ende të mbajtur rob në Gaza.