Botë

Izraeli s’i ndal sulmet, palestinezët goditen edhe nga uria

Ndihmat ne Gaza

Foto: Associated Press

Ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet ajrore mbi Gazë, në kuadër të luftës së saj kundër Hamasit. Gjatë së shtunës ndërmori dy të tilla në pjesën veriore të qytetit, duke i lënë të vrarë së paku 42 palestinezë. E mijëra familje palestineze në Gazë po përballen edhe me një tjetër goditje – mijëra kamionë po presin të kalojnë në pikëkalim kufitar, ndërsa Izraeli dhe OKB-ja fajësojnë njëra-tjetrën për bllokada.

Së paku 42 persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e sulmeve të dyfishta që Izraeli i ka ndërmarrë të shtunën në veri të qytetit të Gazës, ka konfirmuar drejtori i zyrës për media në Qeverinë e udhëhequr nga Hamasi, Ismail al-Thawabta. 

Njëri prej sulmeve, sipas tij, i pati për cak shtëpitë në Al-Shati, që është një prej tetë kampeve të refugjatëve në Rripin e Gazës, duke lënë 24 të vdekur. E sulmi tjetër që shkaktoi vdekjen e 18 palestinezëve u ndërmor mbi shtëpitë në lagjen Al-Tuffah.

Në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kanë thënë se zyrat e organizatës në Gazë janë dëmtuar shkaku i bombardimeve, tek kanë shtuar se 22 persona të strehuar në kampet në afërsi janë vrarë.
“Predha të kalibrit të rëndë kanë rënë disa metra larg zyrave të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në pasditen e së premtes (sipas kohës lokale). Sulmi ka dëmtuar strukturën e zyrës së Kryqit të Kuq, e cila është e rrethuar me qindra civilë të pastrehë që po jetojnë në tenda, përfshirë shumë kolegë palestinezë”, ka njoftuar Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Sipas organizatës, ky është vetëm një prej disa sulmeve të tilla izraelite që kanë ndodhur ditët e fundit. 

E në ushtrinë izraelite kanë bërë të ditur se avionët ushtarake kanë vënë në cak dy caqe të grupit palestinez Hamas.

Në mes të sulmeve ajrore e tokësore nga Izraeli, në terren është duke u zhvilluar një betejë tjetër. Mijëra familje palestineze po mbesin të uritura, ndërsa vetëm pak kilometra larg tyre po rrinë ndihmat në paleta ushqimore. 

Edhe pse Ushtria e Izraelit ka thënë se po e monitoron “procesin e dhënies së ndihmave” në pikëkalimin Kerem Shalom, agjencitë humanitare kanë deklaruar se refugjatët janë ende duke luftuar për të marrë ndihma jetike në Gazën jugore. Ata kanë fajësuar se lëvizja dhe marrja e mallrave është bërë proces i rrezikshëm.

“Plaçkitja është bërë mjaft e zakonshme”,  ka thënë Georgios Petropoulos, që udhëheq Zyrën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në Gaza. Ai ka vlerësuar se të martën e kaluar, tri të katërtat e mallrave në kamionët që hynin nga vendkalimi janë vjedhur.

Zyrtarët e OKB-së kanë thënë se automjetet sulmohen dhe ndalohen sistematikisht nga bandat e armatosura, veçanërisht ato të kontrabandës së cigareve, të cilat shiten në tregun e zi në Gaza për shuma të majme. Kamionët që sjellin karburant në Gaza janë gjithashtu në shënjestër kohët e fundit.
Në Gazë janë larguar përfaqësuesit e Hamasit e aktualisht vlerësohet se nuk ka plan se si të mbushet vakumi i pushtetit. Aty kanë mbetur pak zyrtarë policie që operojnë në territorin palestinez. Nuk është e qartë nëse kartelet e krimit të organizuar janë të lidhur me klanet e Hamasit apo të Gazës.

“Tani duhet të merren vendime kuptimplote se çfarë do të bëjmë për rendin civil në Gaza dhe kush do të kujdeset për ta ofruar atë”, ka thënë Petropoulos.

Organi ushtarak izraelit që është përgjegjës për operimin e kalimeve, “Cogat”, u ka thënë tha gazetarëve se nuk ka vendosur asnjë kufizim në sasinë e ndihmës që mund të shkonte në Gaza. Në Kerem Shalom janë rreth 1000 kamionë ndihmash, që iu nënshtrohen kontrolleve të sigurisë dhe prisnin për grumbullim nga ana e Gazës. 

“Kjo është kryesisht për shkak të faktit se organizatat ndërkombëtare nuk kanë ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për ta përmirësuar kapacitetin e tyre të shpërndarjes”, ka thënë zëdhënësi i “Cogatit”, Shimon Freedman.

Ai ka akuzuar OKB-në – që është furnizuesi kryesor i ndihmave në Gaza – se ka kamionë të pamjaftueshëm, si dhe për nevojën për të rritur fuqinë punëtore, për të zgjatur orarin e punës, për të shtuar kujdesin dhe për të ndërmarrë hapa të tjerë logjistikë dhe organizativë. 

Gjatë luftës, Izraeli ka rritur kritikat e tij ndaj agjencive të ndihmës, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka nxjerrë dy herë masa të përkohshme, duke e urdhëruar të mundësojë ndihmën humanitare për Gazën. Këto erdhën si rezultat i rastit të Afrikës së Jugut që pretendonte se Izraeli po shkelte Konventën e Gjenocidit të vitit 1948, një akuzë që e mohon me forcë.

OKB-ja dhe grupet e ndihmës kanë hedhur poshtë pretendimet se kanë staf të pamjaftueshëm ose joefikas, duke vënë në dukje vështirësitë e veprimit në një zonë lufte aktive. Sipas tyre, bombardimet izraelite kanë dëmtuar infrastrukturën dhe kanë zvogëluar kapacitetin e operimit.

“Ne kemi rekrutuar shumë staf të ri dhe qindra vullnetarë për të shpërndarë ndihma. Ne kemi ofruar 28 milionë shujta dhe gjashtë milionë trajtime mjekësore. Kështu  mund të mbledhim fuqi punëtore së bashku, ka thënë Sean Carroll, president i Ndihmës Amerikane për Refugjatët në Lindjen e Afërt (Anera).

Megjithatë, ai ka thënë se punëtorët e rinj nuk ndihmojnë kur lufta e bën marrjen e mallrave shumë të rrezikshme, ose rrugët janë të pakalueshme.

“Anera” ka vlerësuar se problemi i vazhdueshëm i dhënies së ndihmave mbetet arbitrariteti i rregullave, që ndryshojnë vazhdimisht kur bëhet fjalë për lëvizje më të lirë të mallrave.

Grupet e ndihmës kanë thënë se sistemi i mbingarkuar i ndihmës në Gaza u prish në maj kur Izraeli filloi pushtimin e tij ushtarak tokësor në qytetin jugor të mbushur me njerëz të Rafahut, duke thënë se kishte në shënjestër batalionet e mbetura të luftëtarëve të Hamasit atje.

Rreth një milion palestinezë, shumica e tyre tashmë të zhvendosur nga luftimet, u detyruan të largoheshin, duke thelluar krizën humanitare. Në të njëjtën kohë, organizatat e ndihmës humbën qasjen në qendrat e rëndësishme të magazinimit dhe shpërndarjes.

Izraeli nisi operacion ushtarak për shkatërrimin e Hamasit, në përgjigje ndaj sulmit që grupi e ndërmori në Izraelin jugor më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë, ndërsa 251 të tjerë u morën peng.

Që atëherë, mbi 37 mijë persona janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në qeverinë e udhëhequr nga Hamasi.