Botë

Izraeli shtyn lirimin e mbi 600 të burgosurve palestinezë

Benjamin Netanyahu

Izraeli ka bërë të ditur se ka vendosur të shtyjë lirimin e më shumë se 600 të burgosurve palestinezë duke shkaktuar mundësinë për një tjetër pengesë të madhe në procesin e armëpushimit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se lirimi tani do të jetë i pezulluar derisa të garantohet dorëzimi tjetër i pengjeve nga Hamasi, dhe pa ato që ai i quajti ceremonitë degraduese që Hamasi ka bërë çdo javë, raporton BBC.

Komentet e tij erdhën pasi gjashtë pengje izraelitë, përfshirë katër të rrëmbyer gjatë sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, u liruan të shtunën.

Ka mbetur vetem edhe një dorëzim i pengjeve për në fazën e parë të armëpushimit, ku do të jenë të përfshirë katër të cilët kanë vdekur në robëri. 

Asnjë marrëveshje për lirimin e pengjeve të tjerë të gjallë, që do të ndodhë në fazën e dytë të armëpushimit, nuk është arritur ende.

Netanyahu ka akuzuar Hamasin për "shkelje të përsëritura", duke përfshirë "përdorimin cinik të pengjeve për qëllime propagandistike".

Në përgjigje, zyrtari i Hamasit, Izzat al-Rishq, ka dënuar ashpër vendimin për shtyrjen e lirimit të të burgosurve në një deklaratë të dielën në mëngjes.

Ai ka thënë se pretendimi i Netanyahut se ceremonitë e dorëzimit ishin poshtëruese, ishte një "pretendim i rremë dhe një argument i dobët" që synonte të shmangte detyrimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Gjashtë pengjet izraelitë janë pengjet e fundit të gjallë që do të kthehen si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit, e cila do të përfundojë të shtunën e ardhshme.

Janë 62 pengje të marra më 7 tetor 2023 që ende mbahen nga Hamasi, rreth gjysma e të cilëve besohet se janë gjallë.

Hamasi filloi lirimin e pengjeve, të ndihmuar nga Kryqi i Kuq, në këmbim të të burgosurve palestinezë pasi marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi më 19 janar.