Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë të mërkurën se ushtria do të vazhdojë luftën kundër grupit militant libanez të Hezbollahut.
"Ne nuk do të kemi asnjë armëpushim, nuk do të ndalemi dhe nuk do të heqim këmbën nga gazi", ka thënë Katz gjatë një vizite te trupat në Izraelin verior, raporton AP.
Një sulm ajror izraelit në një ndërtesë apartamentesh në qytetin Aramoun, në jug të Bejrutit, la të vdekur të paktën gjashtë persona dhe plagosi 15 të tjerë të mërkurën, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Gjithashtu të mërkurën në mëngjes, ushtria izraelite goditi disa vende në periferitë jugore të Bejrutit, një zonë e njohur si Dahiyeh, pas lëshimit të paralajmërimeve për evakuim.
Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima.
Forcat izraelite dhe grupi militant libanez Hezbollah janë përleshur që nga 8 tetori 2023, kur Hezbollahu filloi të lëshonte raketa përtej kufirit në mbështetje të aleatit të tij, Hamasit, në Gaza.
Konflikti u përshkallëzua duke filluar nga mesi i shtatorit.