Botë

Izraeli rrit presionin në Gazën veriore, 20 të vrarë përgjatë territorit

Lufta në Gaza

Foto: Associated Press

Sulmet izraelite përgjatë Gazës kanë vrarë 20 persona të mërkurën, teksa forcat izraelite kanë rritur presionin në zonat veriore të territorit, kanë rrethuar spitalet dhe strehimoret e refugjatëve dhe i kanë urdhëruar banorët të nisen për në jug, kanë thënë mjekët dhe banorët.

Prej 20 të vrarëve nga sulmet ajrore izraelite në Gazë, 18 prej tyre janë vrarë në veri të këtij territori, raporton Reuters.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kanë thënë se nuk do të jenë në gjendje ta nisin fushatën e vaksinimit kundër poliomielitit në Gazën veriore sipas planit, për shkak të bombardimeve të intensifikuara, zhvendosjeve masive dhe mungesës së qasjes në këtë pjesë të enklavës.

Forcat izraelite kanë filluar operacionin në veri rreth tri javë më parë, me synim ndalimin e rigrupimit të luftëtarëve të Hamasit, por operacioni është intensifikuar pas vrasjes së shefit të Hamasit, Yahya Sinwar, të mërkurën e kaluar.

Ushtria izraelite ka deklaruar të premten e kaluar, se kanë dërguar një njësi tjetër të ushtrisë në Jabalia dhe ka filluar rrethimin e strehimoreve të refugjatëve, duke i detyruar njerëzit të largohen, teksa kanë ndaluar shumë nga burrat. Ministria e Shëndetësisë ka thënë se të paktën 650 njerëz janë vrarë, që nga fillimi i ofensivës së re.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA ka thënë të mërkurën, se një nga anëtarët e stafit të saj është vrarë kur një automjet i UNRWA-së është goditur në Deir Al-Balah në pjesë qendrore të Gazas. Mjekët kanë thënë se vëllai i anëtarit është vrarë gjithashtu. 

Dy palestinezë janë vrarë në Beit Lahiya, ndërsa një sulm ajror ka vrarë 12 të tjerë në qytetin e Gazës, përfshirë katër punonjës të komunës, në dy sulme të ndryshme të mërkurën.

Autoritetet e shëndetësisë dhe civile kanë thënë se dhjetëra trupa të palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në dhe rreth Jabalias, janë shpërndarë nëpër anët e rrugëve dhe disa edhe nën rrënoja, ku ekipet mjekësore nuk mund t’i arrijnë.

Në Gazën veriore, banorët kanë thënë se forcat izraelite kanë rrethuar spitalet, shkollat dhe strehimoret tjera, që strehojnë familjet e zhvendosura dhe i kanë urdhëruar të largohen dhe të nisen drejt jugut.

Zyrtarët e shëndetësisë kanë thënë se spitalet ose kanë ndaluar shërbimet mjekësore ose mezi operojnë, për shkak të ofensivës së vazhdueshme dhe mungesës së burimeve mjekësore.
Sipas tyre, spitaleve janë duke iu harxhuar njësitë e gjakut, si dhe arkivolet dhe mbulesat për t’i bërë gati trupat e viktimave.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se përshkallëzimi ka çuar në shtyrjen e fushatës së vaksinimit kundër poliomielitit, pasi përfundimit të këtyre fazave në Gazën qendrore dhe jugore.

“Nuk kemi qenë në gjendje ta nisim vaksinimin e 120 mijë fëmijëve në qytetin e Gazës dhe në pjesën veriore sot, për shkak të bastisjes dhe agresionit izraelit”, ka thënë zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë, Majdi Dhair. “Arritja në zonën e synuar është e vështirë, prandaj na u desh ta shtynim”.
OBSH-ja e ka konfirmuar këtë.