Botë

Izraeli rihap një vendkalim për të lejuar hyrjen e ndihmave në Gaza

Forcat izraelite

Forcat izraelite

Foto: Associated Press

Izraeli ka rihapur të mërkurën një vendkalim për të lejuar që ndihmat të hyjnë në Rripin e Gazës. 

"Kjo është dita e parë që ne rihapëm kalimin Erez, për një rrugë të fuqishme dhe të vazhdueshme për hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza”, ka thënë Kolonlel Moshe Tetro, kreu i Administratës së Koordinimit dhe Ndërlidhjes të COGAT në Gaza.

SHBA-ja i ka bërë presion Izraelit që të bëjë më shumë për të lejuar hyrjen e ndihmave në Gaza, sidomos në veriun e shkatërruar, raporton AP.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmës kanë raportuar një fatkeqësi të gjerë humanitare, duke paralajmëruar se qindra mijëra njerëz në Gazën veriore përballen me rrezikun e urisë.

Para sulmit të 7 tetorit të kryer nga Hamasi në Izrael, Erezi ka shërbyer si pikë kalimi pasagjerësh për palestinezët, përfshirë pacientët mjekësorë, punëtorët dhe vizitorët që hynin dhe dilnin nga Gaza.

Mirëpo ky vendkalim është dëmtuar shumë dhe ka mbetur i mbyllur që nga sulmi. 

Afërsisht shtatë muaj lufte dhe bombardimesh të Izraelit në Gaza kanë lënë të vdekur më shumë se 34,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore.

Lufta Izrael-Hamas është shkaktuar nga sulmi i paprecedent i 7 tetorit në jug të Izraelit, gjatë të cilit militantët kanë vrarë rreth 1,200 persona, shumica civilë, dhe po ashtu morën pengje rreth 250 të tjerë.

Izraeli thotë se militantët e Hamasit janë duke mbajtur ende edhe 100 pengje, dhe trupat e më shumë se 30 të tjerëve.