Botë

Izraeli qëndron prapa shpërthimeve me pejxhera në Liban

pejxhera

Hezbollahu është zotuar t’i përgjigjet sulmit izraelit që vrau shumë njerëz dhe plagosi mijëra të tjerë në të gjithë Libanin të martën, kur pejxherat (pajisje komunikuese) që i përkisnin anëtarëve të grupit militant të mbështetur nga Irani shpërthyen pothuajse njëkohësisht, duke ekspozuar sigurinë e dobët të grupit dhe shkallën e lartë të inteligjencës izraelite, raporton “AP”.

Pejxherët që u përdorën nga qindra anëtarë të Hezbollahut shpërthyen njëkohësisht në Liban dhe Siri, duke lënë të vdekur të paktën nëntë persona dhe duke plagosur mbi dy mijë. Hezbollahu dhe qeveria libaneze e fajësuan Izraelin për sulmin e sofistikuar. Se Izraeli qëndron prapa këtij sulmi e kanë konfirmuar edhe burimet e “CNN”.

Kompania tajvaneze “Gold Apollo”, e cila prodhon këto pejxhera, ka bërë të ditur të mërkurën se pajisjet komunikuese që shpërthyen në Liban dhe Siri janë prodhuar në Budapest me autorizimin e tyre.

Shpërthimet ndodhën në zona ku Hezbollahu ka prani më të madhe. Por nuk është e qartë nëse edhe civilët mbanin këto lloj pejxherësh.

Ekspertët besojnë se materiali shpërthyes ishte futur në pejxher përpara dorëzimit dhe përdorimit nga Hezbollahu – në një sulm të sofistikuar të inteligjencës izarelite Mossad.

Pejxheri AR-924 përmban bateri litiumi të ringarkueshme, sipas specifikimeve të reklamuara në faqen e internetit të “Gold Apollo”, që u hoq të martën pas sulmit sabotues. Mund të dërgojë mesazhe deri në 100 karaktere.

Kompania tajvaneze gjithashtu pretendoi se pejxheri kishte 85 ditë jetëgjatësi të baterisë. Është diçka që do të ishte vendimtare në Liban, ku ndërprerjet e energjisë elektrike kanë qenë të zakonshme pasi kombi i vogël në Detin Mesdhe është përballur me vite kolapsi ekonomik. Pejxherat funksionojnë pa energji elektrike dhe pa rrjet, duke i bërë ata më elastikë në raste urgjente - një nga arsyet pse shumë spitale në mbarë botën ende mbështeten te këto pajisje.

Militantët e Hezbollahut i kanë përdorur këto pejxhera nga frika se Izraeli i përgjon telefonat.