Botë

Izraeli pretendon të lirojë 737 të burgosur në fazën e parë të armëpushimit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, merr pjesë në gjyqin e tij mbi akuzat për korrupsion në gjykatën e qarkut në Tel-Aviv, Izrael, 16 dhjetor 2024

Foto: Associated Press

Izraeli ka miratuar marrëveshjen për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve e të burgosurve palestinezë. Armëpushimi në Gaza do të hyjë në fuqi në orën 8:30 të mëngjesin të dielën, 19 janar, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit.

“I këshillojmë banorët që të kenë kujdes, të kenë kujdes maksimal dhe të presin udhëzimet nga burimet zyrtare”, ka shkruar në X Majed Al Ansari.

Nga Ministria izraelite e Drejtësisë është thënë se deri 737 të burgosur – burra, gra e fëmijë – do të lirohen në fazën e parë.

“Qeveria aprovon lirimin e 737 të burgosurve”, thuhej në deklaratën e ministrisë.

Sipas marrëveshjes, 33 pengje izraelite që mbahen nga Hamasi do të shkëmbehen me qindra të burgosur palestinezë që mbahen në burgjet izraelite. Faza e parë do të zgjasë gjashtë javë.

Forcat izraelite do të tërhiqen nga zonat e populluara të Gazës, palestinezët e zhvendosur do të lejohen të rikthehen nëpër shtëpi dhe qindra kamionë ndihma do të lejohen në territor çdo ditë.

Negociatat për fazën e dytë – që do të përfshijë lirimin e pengjeve të mbetura, tërheqjen e plotë të trupave izraelite dhe rikthimin e qetësisë – do të fillojnë në ditën e 16-të.

Faza e tretë dhe e fundit do të përfshijë rindërtimin e Gazës dhe rikthimin e trupave të mbetur të pengjeve.