Botë

Izraeli pretendon se ndihmat janë kthyer në burim të të ardhurave për Hamasin

Gideon Saar

Foto: Associated Press

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Saar, ka deklaruar të martën se ndihmat humanitare nga Kombet e Bashkuara dhe vendet arabe për Gazën janë kthyer në “burimin numër një të të ardhurave” për grupin militant palestinez, Hamas, duke mbrojtur vendimin e së dielës të qeverisë izraelite për të bllokuar hyrjen e të gjitha ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, transmeton The Guardian.

Shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka thënë se vendimi i Izraelit “kërcënon jetët e civilëve të lodhur nga 16 muajt e luftës brutale”. 

Izraeli kishte lajmëruar të dielën se do të ndalonte hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, pas kundërshtimit nga Hamasi për të zgjatur përkohësisht fazën e parë të armëpushimit që u arrit me datë 19 janar.

“Ndihma humanitare është bërë burimi numër një i të ardhurave për Hamasin në Gaza. Ata i përdorin ato para për të rindërtuar kapacitetet dhe për të rekrutuar terroristë të rinj në organizatën e tyre”, ka shtuar Saar.