Izraeli ka siguruar dhjetëra e mijëra tenda për civilët palestinezë që synon t’i evakuojë nga Rafahu në javët e ardhshme, përpara sulmit të paralajmëruar në qytetin që Izraeli e vlerëson si bastionin e fundit të Hamasit në Rripin e Gazës.
Pranë kufirit egjiptian, numri i banorëve që janë zhvendosur si pasojë e ofensivës izraelite ka arritur në më shumë se një milion palestinezë.
Pas javësh bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për masat mbrojtëse për civilët, Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka blerë 40 mijë tenda, secila me kapacitet për 10 deri në 12 persona për palestinezët e zhvendosur nga Rafahu, kanë bërë të ditur burimet e qeverisë izraelite.
Në një video të shpërndarë në internet, shihen dhjetëra rreshta tendash të bardha që po përgatiten në Khan Younis, qytetin i cili ndodhet rreth 5 kilometra larg Rafahut.
“Reuters” siguroi imazhet nga kompania satelitore “Maxar” që tregonin kampet e shumta me tenda në Khan Younisin që kishte qenë bosh më 7 prill.
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka refuzuar të komentojë lidhur me këtë çështje.
Burimet qeveritare kanë thënë se Kabineti i luftës i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu planifikon të takohet brenda dy javëve të ardhshme për të autorizuar evakuimin e civilëve, që pritet të zgjasë rreth një muaj, në fazën e parë të spastrimit të Rafahut.
Izraeli nuk ka dhënë detaje specifike, por ka sinjalizuar në vazhdimësi gatishmërinë për ta sulmuar qytetin e Rafahut.
“Hamasi u godit rëndë në pjesën veriore. Gjithashtu u godit rëndë në qendër të Rripit. Dhe së shpejti do të goditet rëndë edhe në Rafah”, ka thënë të martën gjenerali izraelit, Itzik Cohen, për televizionin publik Kan.
Të mërkurën, ushtria izraelite ka njoftuar se ka mobilizuar edhe dy brigada rezervistësh për misione në Gaza.
Izraeli pretendon se Rafahu është shtëpia e katër batalioneve luftarake të paprekura të Hamasit, të cilat janë përforcuar nga mijëra luftëtarë të grupit militant islamik. Izraeli thotë se arritja e fitores në luftën e Gazës është e pamundur pa marrjen e Rafahut, shtypjen e Hamasit dhe gjetjen e pengjeve atje.
Për palestinezët e zhvendosur në Rafah, një tjetër evakuim duket i zymtë.
H. A. Hellyer, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, ka thënë se ai priste sulmin ndaj Rafahut herët a vonë, sepse Netanyahu është nën presion për t’i përmbushur objektivat e tij të deklaruara për të shpëtuar pengjet dhe për të vrarë të gjithë udhëheqësit e Hamasit.
“Pushtimi i Rafahut është i pashmangshëm. Por nuk do të jetë e mundur që të gjithë banorët të largohen nga qyteti, kështu që nëse ai dërgon ushtrinë në Rafah, do të ketë shumë viktima”, është shprehur ai.
Egjipti në anën tjetër e ka paralajmëruar Izraelin që të mos fillojë ofensivën në Rafah.
“Një veprim i tillë, do të çonte në masakra masive, humbje dhe shkatërrim të gjerë”, kanë thënë nga Shërbimi Shtetëror i Informacionit të Egjiptit.