Bombardimet izraelite u ndërmorën në shenjë hakmarrjeje për sulmet me raketa që Irani i kreu gjatë këtij muaji në Izrael. E përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës u bënë thirrje palëve që t’i shmangin veprimet që mund ta përshkallëzojnë situatën në rajon
Izraeli ka goditur caqe ushtarake në Iran me një seri sulmesh mëngjesin e së shtunës, në shenjë hakmarrjeje ndaj bombardimeve që Republika Islamike i ndërmori ndaj Izraelit në fillim të muajit.
Sulmet paraqesin rastin e parë që ushtria izraelite e sulmon haptas Iranin.
Daniel Hagari, zëdhënësi i Forcave izraelite të Mbrojtjes, ka thënë se operacioni është çmimi që Irani e ka paguar për sulmin ndaj Izraelit. Ai ka shtuar se Izraeli ka kryer sulme “precize” në disa caqe në zona të ndryshme në Iran. Këto caqe përfshinin objekte të prodhimit të raketave dhe kapaciteteve të tjera ajrore.
Hagari është shprehur se Izraeli mund të zgjedhë caqe shtesë nëse do që t’i godasë.
“Forcat e Mbrojtjes të Izraelit e kanë përmbushur misionin. Nëse regjimi në Iran do ta bëjë gabimin për ta nisur një raund të ri përshkallëzimi, atëherë do të jemi të detyruar të përgjigjemi. Mesazhi ynë është i qartë: Të gjithë ata që e kërcënojnë shtetin e Izraelit dhe kërkojnë ta tërheqin rajonin në një përshkallëzim më të gjerë, do të paguajnë çmim të rëndë”, ka theksuar zëdhënësi i ushtrisë izraelite.
Pas sulmeve, Ministria e Jashtme e Iranit ka njoftuar se ka të drejtë për vetëmbrojtje dhe se e sheh veten të thirrur dhe të obliguar për t’u mbrojtur karshi akteve të huaja të agresionit.
Ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Iranit që t’i ndalë sulmet ndaj Izraelit për t’i dhënë fund ciklit të luftimeve.
“Ne i bëjmë thirrje Iranit të ndërpresë sulmet ndaj Izraelit në mënyrë që ky cikël luftimesh të mund të përfundojë pa përshkallëzim të mëtejshëm”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Sean Savett.
Savett ka theksuar se SHBA-ja nuk mori pjesë në operacionin e së shtunës dhe ka shtuar se qëllimi i tyre është të përshpejtojnë përpjekjet diplomatike dhe të qetësojnë tensionet në Lindjen e Mesme.
Një zyrtar i lartë i administratës ka thënë se presidenti Joe Biden dhe ekipi i tij i sigurisë kishin punuar me autoritetet izraelite javët e fundit për të siguruar përgjigje që do të ishte proporcionale, me rrezik minimal për civilët.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, tek u ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës.
“Kjo është një situatë që ne padyshim se po e monitorojmë nga afër, bashkë me partnerët tanë. Është e qartë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër agresionit iranian. Gjithashtu, ne duhet të shmangim përshkallëzimin e mëtejshëm rajonal dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje. Irani nuk duhet t’i përgjigjet sulmit”, ka theksuar Starmer.
E Ministria e Jashtme franceze, nëpërmjet një deklarate, ka kërkuar që Izraeli të mos shkaktojë veprime që mund ta përkeqësojnë gjendjen në rajon.
Megjithatë, pas sulmit të së shtunës, sipas Sanam Vakilit, drejtor i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikës së Veriut në institutin “Chatham House” në Londër, Izraeli ka treguar përsëri saktësinë e tij ushtarake dhe se aftësitë e tij janë më të larta se ato të Iranit.
“Duke shënjestruar objektet ushtarake dhe objektet raketore mbi infrastrukturën bërthamore dhe energjetike, Izraeli gjithashtu po dërgon mesazhe se nuk kërkon përshkallëzim të mëtejshëm për momentin”, ka thënë Vakil.
Ndërsa siç ka vlerësuar drejtori i Projektit të Iranit në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Ali Vaez, shkalla dhe shtrirja e sulmit të Izraelit mbetet e kufizuar dhe “është rrugëdalje për të dyja palët që të tërhiqen nga buzë greminës”.
E sipas kreut të inteligjencës në firmën konsulente “Le Beck” me bazë në Bahrejn, Michael Horowitz, Izraeli bëri “përgjigje të matur”.
“Izraeli mund të operojë thellë brenda Iranit, në mënyrë relativisht të lirë. Këtë liri të veprimit mund ta ketë zgjeruar edhe më shumë pas mbrëmjes së kaluar, pasi Izraeli me gjasë ka shkatërruar disa nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Administrata e Bidenit kishte marrë garanci nga Izraeli në mes të tetorit se nuk do të godiste objektet bërthamore dhe instalimet e naftës.
Irani nuk ishte përballur me breshëri të vazhdueshme zjarri nga një armik i huaj që nga lufta e tij e viteve 1980 me Irakun.
Në fillim të këtij muaji, Irani pati lansuar qindra raketa në drejtim të Izraelit, ndërsa të paktën disa prej tyre kanë goditur në territorin izraelit. Ishte sulmi i dytë i Iranit këtë vit, pasi lansoi qindra raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit edhe në prill. Irani u hakmor pas vrasjeve të liderëve të Hamasit e Hezbollahut. Kryeministri Benjamin Netanyahu kishte theksuar se Irani “ka bërë një gabim të madh”.
Pas sulmit, rrugët në kryeqytetin e Iranit ishin të qeta. Fëmijët shkonin në shkollë dhe dyqanet u hapën. Kishte radhë të gjata në pikat e karburantit - një dukuri e zakonshme në Teheran kur dhuna ushtarake shpërthen ndërsa njerëzit grumbullojnë karburant. Por disa banorë të Teheranit dukeshin të shqetësuar dhe shmangën bisedat me një reporter të “Associated Press”.
Si pasojë e sulmeve, Irani e kishte mbyllur për disa orë hapësirën e tij ajrore.
Tensionet midis Iranit e Izraelit janë rritur qëkur Hamasi ndërmori sulm ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të shkuar.