Botë

Izraeli paralajmëron Lindjen e Mesme

Benjamin Netanyahu

Sulmin më të madh në kryeqytetin libanez, Izraeli e ka kryer pak çaste pasi kryeministri Benjamin Netanyahu mbajti fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Nga aty, paralajmëroi tërë Lindjen e Mesme se “nuk ka vend ku Izraeli nuk mund të arrijë”

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, ka thënë se vendi i tij po e fiton luftën në Lindjen e Mesme. Ai e ka fajësuar Iranin për rritjen e tensioneve.

Netanyahu ka deklaruar se nuk ka vend në Iran që Izraeli nuk mund ta arrijë. Ai ka theksuar se ky paralajmërim vlen për të gjithë në Lindjen e Mesme. 

“Mallkimi i 7 tetorit filloi kur Hamasi e sulmoi Izraelin nga Gaza. Por nuk mbaroi me kaq. Izraeli shpejt u detyrua të mbrohej në gjashtë fronte të tjera luftarake, të organizuara nga Irani. Më 8 tetor, Hezbollahu na sulmoi nga Libani. Që atëherë , ata hodhën mbi 8 mijë raketa në qytetet tona dhe mbi civilët tanë. Dy javë më vonë, Irani, i mbështetur nga Houthit në Jemen, lëshoi dronë dhe raketa në Izrael. Milicitë shiite të Iranit në Siri dhe Irak kanë sulmuar gjithashtu dhjetëra herë gjatë vitit të kaluar. Ushtarët e Izraelit kanë luftuar me guxim të jashtëzakonshëm dhe me sakrifica heroike. Dhe unë kam një mesazh tjetër për këtë Kuvend dhe për botën jashtë kësaj salle. Ne po fitojmë”, ka theksuar Netanyahu. 

Në fjalimin e tij, Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli nuk dëshiron që të pafajshmit të vdesin.
“Asnjë ushtri nuk e ka bërë atë që Izraeli po bën për të minimizuar viktimat civile: ne lëshojmë fletushka, dërgojmë mesazhe me tekst, bëjmë miliona telefonata për t’u siguruar që civilët palestinezë të shpëtojnë nga rruga e keqe”, ka theksuar ai. “Gjithçka duhet bërë për të siguruar që Irani të mos marrë armë bërthamore”. 

Gati 700 njerëz janë vrarë në Liban këtë javë pasi Izraeli përshkallëzoi sulmet, nën arsyetimin se po synon kapacitetin ushtarak të Hezbollahut. Pak pas fjalimit të Netanyahut, Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ka njoftuar se e ka sulmuar selinë qendrore të grupit militant Hezbollah në Bejrut. Objektiv i sulmit ishte lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Sipas burimeve të Reutersit, të afërta me grupin militant, Nasrallahu është gjallë. Edhe agjencia AFP ka raportuar se një burim i ka thënë që Nasrallahu është mirë.

Sipas IDF-së, shtabi ishte i vendosur “nën ndërtesat e banimit” në periferi të Dahiehit në jug të qytetit. BBC-ja ka raportuar se sulmi nuk ishte si çdo shpërthim tjetër i dëgjuar në qytet gjatë sulmeve ajrore të fundit izraelite.

Sulmi i pasdites së premte goditi Dahiehin, bastionin e Hezbollahut në Bejrutin jugor, zonë që është shënjestruar vazhdimisht nga ushtria izraelite kohët e fundit.

Vendi ka popullsi të dendur dhe fotot e para nga vendngjarja tregojnë për shkatërrim të madh.
Zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari ka thënë në një deklaratë se shtabi ishte “ndërtuar qëllimisht nën ndërtesa banimi” në zonën jugore të Dahiehit “si pjesë e strategjisë së Hezbollahut për përdorimin e popullit libanez si mburoja njerëzore”.

“Izraeli po bën atë që do të bënte çdo shtet sovran në botë nëse do të kishte një organizatë terroriste që kërkon shkatërrimin e tyre në kufirin e tyre, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta mbrojtur popullin tonë në mënyrë që familjet izraelite të mund të jetojnë në shtëpitë e tyre të sigurt”, ka thënë Hagari.  

Sipas njoftimeve nga Ministria e Shëndetësisë në Liban, si pasojë e sulmeve, aty vdiqën dy persona e u lënduan 76 të tjerë.

Për sulmin, Pentagoni ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishin marrë paralajmërim se do të ndodhë. 

E Organizata e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet zëdhënësit Stephane Dujarric, ka thënë se po i përcjell sulmet e Izraelit në zonën e dendur me shqetësim të madh.

Pas sulmit, u raportua se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu do të rikthehet urgjentisht nga Nju-Jorku në Izrael, edhe pse ishte paraparë që kjo të ndodhte të shtunën më vonë. 

Në anën tjetër, Irani ka dënuar sulmin duke thënë se “kjo përbën përshkallëzim serioz që ndryshon lojën”. Ambasada e Iranit në Bejrut ka thënë se Izraeli “do të ndëshkohet”. Që nga shpërthimi i tensioneve me Izraelin në Liban, Irani ka refuzuar të thotë se është direkt e përfshirë në luftimet e Hezbollahut me Izraelin. Në vizitën në Nju-Jork të hënën, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, u shpreh se nga një luftë më e gjerë në Lindjen e Mesme nuk do të përfitonte askush.