Botë

Izraeli paralajmëron dërgimin e më shumë trupave në Rafah

Tanket izraelite në Gaza

Tanket izraelite në Gaza

Foto: Associated Press

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka deklaruar se më shumë trupa do të dërgohen në jug të qytetit të Gazës, Rafah, ku ushtria thotë se ka shkatërruar tunelet e Hamasit dhe ka vrarë dhjetëra militantë.

Izraeli ka nisur atë që e ka quajtur një operacion të kufizuar në Rafah javën e kaluar, pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë i kanë bërë presion që të mos e niste pushtimin në shkallë të plotë, raporton AP.

Por edhe pse operacionet janë të kufizuara, ato kanë shkaktuar eksod të 600,000 palestinezëve nga qyteti, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara. Para pushtimit, më shumë se një milionë palestinezë të cilët kishin ikur nga zonat e tjera të luftimeve, po strehoheshin në Rafah. 

Ministri Gallant, i cili po vizitonte zonat të mërkurën, ka thënë se “operacioni do të vazhdojë me forca të shtuara të cilat do të hyjnë në zonë”.

Hamasi ndërkohë është rigrupuar në zona të tjera të Gazës, të cilat janë bombarduar rëndë më herët gjatë luftimeve.

SHBA-ja pati paralajmëruar Izraelin që të mos niste një ofensivë në Rafah për shkak të fataliteteve që do të mund të shkaktonte mbi civilët. Presidenti, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja nuk do të dërgonte në Izrael armë për një operacion të tillë.