Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, ka deklaruar se vendi i tij është i hapur ndaj ideve për de-përshkallëzimin e konfliktit në Liban.
Danon ka thënë se shteti i tij nuk synon ta bëjë pushtimin tokësor të Libanit.
"Ndërsa flasim, ka forca të rëndësishme që përpiqen të nxjerrin ide dhe ne jemi mendjehapur për këtë. Ne nuk jemi të etur për të filluar ndonjë pushtim tokësor kudo... Ne preferojmë një zgjidhje diplomatike”, u ka thënë ai gazetarëve, raporton Reuters.
Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë shtuar që nga java e kaluar, me shpërthimin e pajisjeve të komunikimit të grupit militant Hezbollah, në Liban dhe Siri, si pasojë e të cilave u vranë dhjetëra njerëz.
Një ditë pas shpërthimeve dy-ditore të pejxherëve dhe radiolidhjeve, Izraeli kreu një sulm ajror në kryeqendrën e Libanit, Bejrut, duke lënë po ashtu dhjetëra të vdekur, mes tyre shumë komandantë të Hezbollahut. Edhe Hezbollahu nga anan tjetër ka sulmuar vazhdimisht me raketa caqet në veri të Izraelit.
Sulmet izraelite janë rikthyer të hënën dhe kanë vazhduar edhe të martën, duke lënë të vdekur mbi 550 persona në Liban, mes tyre edhe një nga komandantët kryesorë, Ibrahim Qubaisi.
Luftimet kanë shkaktuar zhvendosjen e qindra e mijëra njerëzve nga të dy anët e kufirit, teksa kanë shtuar frikën për një luftë më gjithëpërfshirëse.
Hezbollahu ka sulmuar vazhdimisht Izraelin që nga 8 tetori, ditës kur nisën sulmet izraelite në Gaza, si pasojë e sulmit të grupit militant Hamas në Izraelin jugor, më 7 tetor, në të cilin u vranë 1,200 njerëz dhe u morën peng qindra të tjerë.
Hezbollahu i cili mbështet Hamasin ka deklaruar se do të vazhdojë ta sulmojnë Izraelin derisa të arrihet një armëpushim në Gaza.