Botë

Izraeli në luftë: si erdhi deri te “dita e zezë”, çka synon organizata terroriste Hamas, cili është roli i Iranit dhe Rusisë?

Mbi 600 të vrarë në Izrael, dhjetëra të kidnapuar nga militantët palestinezë, qindra civilë të vrarë dhe me gjasë dhjetëra terroristë të likuiduar në Rripin e Gazës: Lindja e Afërt po përjeton një shpërthim të paparë të dhunës në dekadat e fundit. Në vijim një prezantim faktesh dhe një analizë e rrethanave politike që e sollën “ditën e zezë” në Izrael.

■ Kufiri mes Rripit të Gazës dhe Izraelit është 60 kilometra i gjatë. Izraeli ka investuar 1 miliardë dollarë për të bllokuar këtë kufi me barriera të ndryshme. Kufiri konsiderohej i padepërtueshëm. Sulmet terroriste të Hamasit dhe depërtimi i militantëve palestinezë nga Rripi i Gazës në thellësi të territorit të shtetit të Izraelit si dhe kidnapimi i civilëve në Izrael, ekzekutimi i tyre, keqtrajtimi i tyre në mënyrë bestiale, ekspozimi i kufomave të tyre, përdhosja e kufomave nën fokusin e kamerave të telefonave mobilë tregojnë – në njërën anë – se Hamasi është një organizatë thellësisht terroriste, kriminale dhe keqpërdoruese radikale e fesë islame për qëllime propagandistike. Në anën tjetër sulmi i Hamasit tregon për dështimin e shërbimeve sekrete izraelite dhe forcave të tjera të sigurisë në parandalimin e rrezikut.

■ Ende nuk dihet sa njerëz i ka kidnapuar Hamasi në Izrael. Sipas “New York Times” në vitin 2011 kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu liroi nga burgu 1027 palestinezë, mes tyre 280 të dënuar me burg të përjetshëm, për të liruar ushtarin izraelit Gilad Shalit nga kthetrat e Hamasit. Mund të merret me mend se çfarë kushtesh do të vë tani Hamasi për lirimin e pengjeve.

■ Që nga viti 2012 Hamasi ka marrë mbi 1 miliardë dollarë ndihma nga Katari. Këto ndihma kjo organizatë terroriste nuk i ka shfrytëzuar për përmirësimin e jetës së njerëzve në Rripin e Gazës, por për përgatitjen e një sulmi të gjerë kundër Izraelit – ndonëse shanset për të mposhtur Izraelin shumëfish më të fuqishëm janë baras me zero. Por tani lufta është reale, viktimat janë reale, gjaku i derdhur është real.

■ Ndërsa nuk ka asnjë arsyetim për sulmet kundër Izraelit dhe sidomos kundër civilëve dhe Izraeli ka të drejtën e pamohueshme për t’u vetëmbrojtur, nuk mund të mohohet se qeveria e Benjamin Netanjahut e ka dobësuar, polarizuar dhe radikalizuar politikën dhe qeverisjen në Izrael. Këtë e ka shkruar disa herë në kolumnet e tij në “New York Times” Thomas L. Friedman, publicist me ndikim global dhe edhe vetë hebre. Pas eskalimit të fundit si pasojë e sulmeve të Hamasit, Friedman shkruan se prej se është kthyer në pushtet, politika përçarëse e Netanjahut i ka shkaktuar “dëm të tmerrshëm” Izraelit. Netanjahu ka bërë “puç kundër drejtësisë”, duke ia kufizuar kompetencat Gjykatës së Lartë të Izraelit. Qindra-mijëra izraelitë e izraelite janë duke protestuar qe disa muaj kundër tendencave të Netanjahut. Diplomatë, rezervistë të armatës, figura publike i janë bashkuar një greve kundër qeverisë së Netanjahut, e cila ka lidhur koalicion me forcat më ekstremiste të djathta. Kjo qeveri e ka tronditur edhe presidentin amerikan Joe Biden, një mik të Izraelit. Deri më tani ai ka refuzuar të pranojë Netanjahun në Shtëpinë e Bardhë.

■ Në një tubim në Tel Aviv të mbajtur këtë javë, ish-drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes të Izraelit Dan Harel tha: “Kurrë nuk e kam parë sigurinë tona nacionale në një gjendje më të keqe”. Rezervistët e armatës izraelite hapur deklaronin se nuk do të shërbenin në rast rreziku nëse Netanjahu vazhdon me politikën e tij të polarizimit. Ky sinjal nuk ka mbetur i paregjistruar nga Hamasi. Një arsye tjetër e sulmeve terroriste të Hamasit ka të bëjë me planet për një marrëveshje përafrimi mes Izraelit dhe Arabisë-Saudite. Hamasi, i përkrahur nga Irani, ka frikë se kjo do të dobësojë edhe më shumë këtë organizatë që ka marrë peng një pjesë të madhe të palestinezëve.

■ Liderët e Hamasit sivjet janë mirëpritur në Moskë. Rusisë gjithsesi nuk i prishet qejfi nëse resurset e Perëndimit përqendrohen në vatra të tjera të krizës. Kjo i hap mundësi të reja Moskës për të terrorizuar Ukrainën. Javëve të fundit përkrahja për Kievin në Perëndim është zbehur për shkak të rezistencës radikale të republikanëve në SHBA kundër qeverisë së Joe Bidenit.

■ Në një editorial të “Washington Post” nënvizohet: “E dimë se përçarjet e brendshme të Izraelit, të cilat u shkaktuan nga partitë ekstremiste të djathta në koalicionin qeveritar të zotit Netanjahu dhe nga plani i tij për ta reformuar drejtësinë e vendit sipas përfytyrimeve të këtyre forcave radikale, kanë krijuar një shans për armiqtë e vendit. Shenjat e para tregojnë se politikanët udhëheqës të Izraelit po i lënë anash dallimet me Netanjahun për t’iu përgjigjur gjendjes emergjente. Vetëm mund të shpresojmë se ky është fillimi i një koalicioni të ri, i cili i përjashton ekstremistët që e kanë çuar përpara reformimin e drejtësisë”.

■ Disa shifra: Izraeli ka 167 mijë ushtarë aktivë dhe 465 mijë rezervistë. Disponon me sistemin Iron Dome, i cili është shumë efikas në mbrojtjen e hapësirës ajrore. Buxheti izraelit i mbrojtjes: 24 miliardë dollarë. 3000 tanke. 250 avionë luftarakë. Mbi 90 raketa interkontinentale. Hamasi supozohet se ka rreth 30 mijë trupa. 7000-10’000 raketa. 3000 raketa anti-tank. 100 raketa kundërajrore. (Sipas të dhënave të CIA, Al Jazeera, Times of Israel).

■ Dallimi mes Izraelit si vend demokratik dhe monarkive, republikave diktatoriale apo konstrukteve parashtetërore në Lindjen e Afërt shihet teky citat nga një koment i gazetës izraelite “Haaretz”: “Hamasi, një organizatë e ‘vogël’ terrori, e zbuloi lakuriqësinë e Izraelit si superfuqi rajonale. Ndonëse dështimi në radhë të parë duhet t’i atribuohet shërbimit sekret ushtarak dhe shërbimit të sigurisë Shin Bet, kryeministri Benjamin Netanjahu nuk do të mund t’i lajë duart e tij në pafajësi”. Në Izrael është e mundur që edhe në një ditë të zezë të kritikohet kryeministri. Në shumicën e vendeve fqinje të Izraelit kritika ndaj pushtetarëve paguhet me kokë, me rrahje me kamxhik apo me shumë vite burg.

■ Në një postim në X (ish-Twitter) orientalisti dhe profesori shumëvjeçar i arabistikës dhe dijeve islame në Universitetin e Bernit, Reinhard Schulze, shkruan: “Motivi i Hamasit dhe Xhihadit Islamik për terror masiv kundër Izraelit bazohet në ideologjinë e tyre ultranacionaliste. Kjo ideologji synon ‘rilindjen’ e kombit palestinez si akt fetar shpëtimi dhe e obligon popullsinë të jetë e përqendruar në imazhin e armikut – përmes të cilit shoqëria e larmishme palestineze synohet të bëhet një ‘korpus i popullit” dhe ‘populli’ bartës i shpëtimit fetar. Ky uzurpim ultranacionalist i islamit motivon për brutalitet ekstrem, sepse në këtë imagjinatë ‘armiku’ bëhet parim total. Pa asnjë dallim njerëzit identifikohen si armiq dhe ‘ndëshkohen’ për këtë armiqësi. Kjo bëhet në një mënyrë që të kujton praktikën e trupave ruse të ‘spastrimit’ (‘saçistka’). Ngjashmëria familjarizuese e ultranacionalizimit rus dhe ideologjisë së Hamasit është e habitshme”.

■ Që nga viti 2008 janë zhvilluar katër luftëra të intensitetit jo aq të madh mes Izraelit dhe palestinezëve. Mungesa e gatishmërisë për kompromise të dhimbshme nga të dyja palët, fiksimi në imazhin e tjetrit si “armik i përjetshëm”, forcimi i grupeve terroriste në viset palestineze dhe radikalizmi i lëvizjes kolonizatore te një pakicë me ndikim në Izrael kanë krijuar një koktej që eksplodon në intervale të rregullta kohore. Nganjëherë shpërthimi i dhunës krijon edhe qartësi dhe shpalosje frontesh. A do të jetë kështu kësaj radhe? Apo konflikti do të pushojë me kalimin e kohës për të shpërthyer sërish si një cikël fatal i dhunës?