Botë

Izraeli mund ta sulmojë infrastrukturën ushtarake dhe energjetike të Iranit, thonë zyrtarë amerikanë

Ushtria izraelite

Zyrtarët amerikanë besojnë se Izraeli ka ngushtuar objektivat në përgjigjen e tij të mundshme ndaj sulmit të Iranit këtë muaj, duke synuar infrastrukturën ushtarake dhe energjetike, ka raportuar NBC të shtunën.

Lindja e Mesme mbetet në gatishmëri të lartë për përshkallëzim të mëtejshëm në një vit lufte, ndërsa Izraeli po vazhdon të luftojë grupet e mbështetur nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin në Gaza, raporton Reuters.

Izraeli ka thënë në mënyrë të përsëritur se do t'i përgjigjet breshërisë së raketave të Iranit më 1 tetor, e cila u nis si hakmarrje për operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza dhe Liban dhe vrasjen e një vargu liderësh të Hamasit dhe Hezbollahut.

Nuk ka asnjë tregues se Izraeli mund të targetojë objektet bërthamore ose do të kryejë atentate, thuhet në raportin e NBC-së, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë dhe duke shtuar se Izraeli nuk ka marrë vendime përfundimtare se si dhe kur të veprojë.

Konflikti midis Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur Hezbollahu filloi të lëshonte raketa në veri të Izraelit, në fillim të luftës së Gazës, dhe është përshkallëzuar ndjeshëm javët e fundit.

Hezbollahu ka deklaruar të dielën se po luftonte forcat izraelite që po përpiqeshin të depërtonin në fshatin Ramya në Libanin jugor.

Ushtria izraelite ndërkaq ka thënë se vazhdon të operojë në Libanin jugor për të çmontuar "infrastrukturën terroriste".