Botë

Izraeli merr kontrollin e gjithë kufirit tokësor me Gazën

Forcat izraelite në Rafah

Forcat izraelite në Rafah

Foto: Associated Press

Ushtria izraelite ka thënë se ka marrë kontrollin e zonës mbrojtëse strategjikisht të rëndësishme përgjatë kufirit Gaza-Egjipt të njohur si Korridori Filadelfi, që do të thotë se tani kontrollon të gjithë kufirin tokësor të Gazës.

Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) ka thënë se rreth 20 tunele të përdorura nga Hamasi për të kontrabanduar armë në Gaza ishin gjetur brenda zonës, raporton BBC.

TV egjiptian citoi burime që e mohonin këtë dhe tha se Izraeli po përpiqej të justifikonte operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Njoftimi vjen gjatë një periudhe tensionesh të rritura me Egjiptin.

"Në ditët e fundit, trupat e IDF-së vendosën kontrollin operacional në korridorin e Filadelfit, në kufirin midis Egjiptit dhe Rafahut”, ka deklaruar të mërkurën zëdhënësi i IDF-së, admirali, Daniel Hagari.

Ai ka thënë se trupat po "hetonin dhe neutralizonin" tunelet e gjetura në zonë.

Korridori i Filadelfit është një zonë tampon, vetëm rreth 100 m i gjerë, i cili kalon përgjatë anës së Gazës të kufirit 13 km me Egjiptin. I vetmi kufi tjetër tokësor i Gazës është me vetë Izraelin.

Egjipti ka thënë më parë se kishte shkatërruar tunele ndërkufitare, duke e bërë të pamundur çdo kontrabandë armësh.

Izraeli ka insistuar se duhet të marrë kontrollin e Rafahut për të arritur fitore në shkatërrimin e Hamasit, pas sulmit që grupi ka kryer në Izraelin jugor, në të cilën u vranë rreth 1200 persona dhe u morën peng rreth 250 të tjerë. 

Të paktën 36,000 njerëz janë vrarë deri tani nga lufta në Gaza, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. 

Tensionet ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit janë rritur që kur forcat izraelite kanë marrë kontrollin e kufirit të Gazës me Egjiptin, si pjesë e ofensivës së tyre kundër Hamasit. 

Në fillim të kësaj jave, një ushtar egjiptian është vrarë në një incident ku ishin të përfshirë trupat egjiptiane dhe ato izraelite në zonën e kufirit afër Rafahut. 

Egjipti është një mbështetës i madh i palestinezëve dhe e ka dënuar fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza.