Një zyrtar palestinez i shëndetësisë ka thënë se Izraeli ka liruar 55 palestinezë të hënën, të cilët i ka arrestuar në Gaza, duke e përfshirë edhe drejtorin e spitalit kryesor të territorit, raporton AP.
Mohammed Abu Selmia është arrestuar në nëntor, kur forcat izraelite e kanë bastisur spitalin “Al Shifa”. Në pamjet e mediave palestineze pas lirimit të tij, Abu Selmia i ka akuzuar autoritetet izraelite për keqtrajtim të të burgosurve palestinezë për “poshtërime të përditshme fizike dhe psikologjike”.
Autoritetet izraelite i kanë mohuar këto pretendime.
Izraeli e ka akuzuar Hamasin dhe grupet e tjera militante se strehoheshin nëpër spitale dhe se i përdorin ato për qëllime ushtarake. Sipas ushtrisë izraelite, është zbuluar një tunel brenda kompleksit mjekësor. Abu Selmia dhe pjesa tjetër e stafit i kanë mohuar këto akuza.
Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se bastisjet izraelite i kanë detyruar disa spitale të mbyllen ose ta zvogëlojnë aftësinë shërbyese, duke i rrezikuar qytetarët. Spitalet mund ta humbin mbrojtjen nga e drejta ndërkombëtare nëse përdoren për qëllime ushtarake.