Botë

Izraeli konfirmon vrasjen e liderit të Hamasit, Sinwar

Yahya Sinwar

Foto: Associated Press

Izraeli e ka konfirmuar vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, raporton “BBC”. 

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, e ka konfirmuar vrasjen në një mesazh që u ka dërguar disa homologëve të tij nëpër botë. 

Ai ka thënë se lideri i Hamasit u vra të nga ushtarët izraelitë, ndërsa e përshkroi atë si “organizator prapa masakrës dhe mizorive” të 7 tetorit. 

“Është një arritje e madhe ushtarake dhe morale për Izraelin dhe një fitore për gjithë botën e lirë kundër boshtit të së keqes të islamit radikal të udhëhequr nga Irani. Eliminimi i Sinwarit hap mundësinë për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe hap rrugën për një ndryshim që do të çojë në një realitet të ri në Gaza – pa Hamas dhe pa kontroll iranian”, ka shkruar Katz. 

Vrasjen e ka konfirmuar edhe Ushtria e Izraelit. 

“IDF-ja dhe ISA-ja konfirmojnë se pas një ndjekjeje njëvjeçare dje (e mërkurë) më 16 tetor 2024, ushtarët e IDF-së nga Komanda Jugore eliminuan Yahya Sinwarin, liderin e organizatës terroriste Hamas, në një operacion në jug të Rripit të Gazës. Yahya Sinwar planifikoi dhe ekzekutoi masakrën e 7 tetorit, promovoi ideologjinë e tij vrastare para dhe gjatë luftës, dhe ishte përgjegjës për vrasjen dhe rrëmbimin e  shumë izraelitëve”, thuhet në komunikatë të IDF-së dhe ISA-së. 

E presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka lavdëruar forcat izraelite për vrasjen e liderit të Hamasit. 

Në një postim në platformën “X” ai e ka akuzuar Sinwarin për “aktet e tmerrshme të terrorizmit kundër civilëve izraelitë, qytetarëve të vendeve të tjera dhe vrasjes së mijëra njerëzve të pafajshëm”. 

Tha se Sinwar ishte i përkushtuar “për terror, gjakderdhje dhe destabilizim të Lindjes së Mesme”. 

“Tash, më tepër se kurrë, duhet të veprojmë në çdo mënyrë të mundshme për t’i rikthyer 101 pengje që ende mbahen në kushte të tmerrshme në Gaza nga terroristët e Hamasit”, thuhet në postim. 

E sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se nuk do t’ia ndiente mungesën Sinwarit. Ai ka thënë se dihet gjerësisht se Sinwar “ishte arkitekti i sulmeve terroriste të 7 tetorit të vitit 2023 ndaj Izraelit”. 

“Unë i kam dënuar, të gjithë aleatët i kanë dënuar. Çdo shpirt i arsyeshëm në botë i ka dënuar ata. Pra, nëse ai ka vdekur, mua personalisht s’do të më mungojë”, tha Rutte në konferencë për media në Bruksel të enjten. 

 

IDF-ja thotë se Sinwar u vra në një sulm me tank

6 muaj më parë / 17 tet 2024 23:15
Yahya Sinwar

Yahya Sinwar

Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, ka dhënë detaje për BBC-në lidhur me vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar. 

Majori Doron Spielman ka treguar se IDF-ja ka operuar në Rafah me synimin për t'i kapur “terroristët më të lartë” – përfshirë Yahya Sinwarin. 

Spielman ka thënë se në operacionet e tyre, forcat e IDF-së gradualisht mbyllën rrugët, shkatërruan tunelet dhe kufizuan lëvizjet “në një zonë gjithmonë e më të vogël”. Kjo e detyroi Sinwarin të “lëvizte si një i arratisur” dhe përfundimisht “të bënte një gabim”. 

“Në fakt, vetëm dje e bëri gabimin. Ai u largua nga tuneli, hyri në një kompleks banesor dhe Hamasi hapi zjarr ndaj trupave izraelite. Një tank u kundërpërgjigj dhe ai u vra në atë sulm”, ka treguar Spielman. 
 

Bideni e krahason vrasjen e Sinwarit me atë të Bin Ladenit

6 muaj më parë / 17 tet 2024 21:13
Joe Biden

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, është “ditë e mirë për Izraelin, SHBA-në dhe botën”, duke e krahasuar me ndjesinë në SHBA pas vrasjes së liderit të Al-Qaidas, Osama bin Laden, raporton agjencia “AP”.

Bideni tha të enjten se do të flasë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe me liderë tjerë izraelitë për t’i uruar ata “dhe për të diskutuar rrugën për sjelljen e pengjeve në shtëpi te familjet e tyre dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte njëherë e përgjithmonë”. 

Bideni thotë se me vrasjen e Sinwarit “tash është mundësi për ‘të nesërmen’ në Gaza pa Hamasin në pushtet dhe për një zgjidhje politike që ofron një të ardhme më të mirë për izraelitët dhe palestinezët”. 
Ndërkohë zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris, njëherë kandidate nga radhët e demokratëve për zgjedhjet presidenciale në SHBA, ka thënë se vrasja e Sinwarit “jep mundësi për t’i dhënë fund luftës në Gaza”. 

Ajo ka folur nga kampusi i kolegjit Wisconsin në një tubim zgjedhor. 

“Lufta duhet të përfundojë në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gaza të marrin fund dhe populli palestinezë të mund të realizojë të drejtën për dinjitet, siguri, liri. Është koha që të fillojë e nesërmja”, tha Harris.