Botë

Izraeli konfirmon vdekjen e katër pengjeve tjera në Gazë

Pengje - Izrael

Ushtria e Izraelit ka thënë se ka marrë vesh për vdekjen e katër pengjeve tjera që janë marrë prej Hamasit, më 7 tetor të vitit të kaluar.

Sipas saj, katër personat janë vrarë gjatë një operacioni izraelit në Khan Younis, në jug të Gazës, duke shtuar se trupat e tyre janë duke u mbajtur ende prej militantëve.

Burrat janë identifikuar si Nadav Popplewell, 51-vjeçar, Chaim Peri, 79-vjeçar, Yoram Metzger, 80-vjeçar dhe Amiram Cooper, 85-vjeçar.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, ka thënë se inteligjenca e mbledhur në javët e fundit ka çuar në këtë përfundim.

“Ne vlerësojmë që të katërtit janë vrarë në zonën e Han Junisit gjatë operacionit tonë kundër Hamasit”, ka thënë ai, raporton "BBC". 

Muajin e kaluar, Hamasi ka pretenduar që Nadav Popplewell ka vdekur si pasojë e një sulmi izraelit në prill.

Katër burrat janë kidnapuar në tokën izraelite, afër Rripit të Gazës, më 7 tetor.

Sipas autoriteteve izraelite, në sulmin e Hamasit atë ditë, janë vrarë 1.200 izraelitë dhe rreth 240 janë marrë peng.

Hamasi pati liruar 105 civilë përgjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor.