Botë

Izraeli konfirmon kryerjen e sulmeve ndaj flotës detare të Sirisë

Siri

Foto: Associated Press

Izraeli e ka konfirmuar të martën se ka kryer sulme ndaj flotës detare të Sirisë. 

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) me bazë në Mbretërinë e Bashkuar thotë se ka dokumentuar më shumë se 310 sulme nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) që nga rënia e regjimit të Asadit të dielën.

Avionët luftarakë izraelitë thuhet gjithashtu se kanë kryer qindra sulme ajrore në të gjithë Sirinë, duke përfshirë kryeqytetin, Damask.

Në një deklaratë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se IDF-ja po synon "të shkatërrojë aftësitë strategjike që kërcënojnë shtetin e Izraelit".

Ai ka shtuar se operacioni për të shkatërruar flotën siriane ka qenë një "sukses i madh".

Ndërkohë, IDF-ja ka konfirmuar se ka trupa që operojnë në territorin sirian përtej zonës mbrojtëse të demilitarizuar midis Sirisë dhe Lartësive të Golanit të pushtuara nga Izraeli.

Ajo ka shtuar se sulmet e saj ishin për të parandaluar që armët të binin "në duart e ekstremistëve" ndërsa Siria po kalonte në një epokë tjetër pas Assadit.

SOHR raportoi se sulmet përfshinë Aleppon, Damaskun dhe Hamën, me më shumë se 60 të ndodhura gjatë natës mes të hënës dhe të martës.

Raportet thonë se shumë nga objektet e goditura jo vetëm janë dëmtuar, por janë shkatërruar plotësisht.

Rami Abdul Rahman, themeluesi i SOHR, e përshkroi ndikimin e sulmeve si shkatërrim të "të gjitha aftësive të ushtrisë siriane" dhe tha se "tokat siriane po dhunohen".