Izraeli po kërkon të zgjasë fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit në luftën me Hamasin në Gaza, dhe është i përgatitur të rifillojë luftimet nëse nuk ka këtë javë përparim në bisedimet për fazën e dytë, sipas raporteve.
Një radio dhe një gazetë e përditshme në Izrael kanë raportuar të martën se janë duke u zhvilluar bisedimet jozyrtare që synojnë zgjatjen e fazës së parë 42-ditore të armëpushimit, e cila skadon të shtunën, raporton The Guardian.
Negociatat zyrtare të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për mënyrën e zbatimit të fazës së dytë, që do të parashihte ndër të tjera një tërheqje të plotë izraelite nga territori palestinez, supozohej të fillonin javë më parë, por janë shtyrë vazhdimisht pasi armëpushimi i brishtë ka kaluar nga kriza në krizë.
Një zgjatje e fazës së parë do të përfshinte lirime të mëtejshme pengjesh në këmbim të të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë, por zyrtarët izraelitë janë skeptikë për realizueshmërinë e idesë.
Armëpushimi ndodhet në rrezik përpara lirimit të planifikuar të katër trupave izraelitë të enjten, pasi Izraeli vendosi të shtyjë lirimin e 600 palestinezëve fundjavën e kaluar. Ky vendim duket se është nxitur nga një video e publikuar nga Hamasi të shtunën, në të cilin shiheshin dy pengje që ishin detyruar të shikonin lirimin e robërve të tjerë. Videoja, së bashku me ceremonitë e dorëzimit në të cilat pengjet janë parakaluar nga grupi militant, kanë zemëruar opinionin publik në Izrael.
Hamasi ka thënë se nuk do të angazhohet në asnjë negociatë derisa të lirohen 600 palestinezët, lirimi i të cilëve u vonua, duke i vënë ndërmjetësit nën presion për të zgjidhur mosmarrëveshjen e fundit përpara lirimit të radhës të trupave të pengjeve të enjten dhe skadimit të fazës së parë dy ditë më vonë.
Grupi kishte thënë më parë se ishte i hapur për një zgjatje të shkurtër të fazës së parë në mënyrë që të mbante gjallë ndihmat në territor dhe bisedimet në fazën e dytë.
Egjipti, një ndërmjetës kyç midis palëve, ka refuzuar ndërkaq të diskutojë një zgjatje të fazës së parë nëse bisedimet e fazës së dytë nuk fillojnë në të njëjtën kohë, ka raportuar AP të martën, duke cituar dy zyrtarë.
Ndërkohë, Steve Witkoff, i dërguari i administratës Trumpit për Lindjen e Mesme, po kthehet në rajon të mërkurën.
Në një intervistë për CNN-in gjatë fundjavës, ai ka thënë se po synonte një zgjatje të fazës së parë për të siguruar që do të kishte kohë për të negociuar fazën e dytë.
Në fazën e dytë të marrëveshjes, me kohëzgjatje të pasigurt, Izraeli supozohet të tërheqë plotësisht forcat e tij nga Gaza, në fakt duke i dhënë fund luftës, dhe bisedimet për qeverisjen e ardhshme të rripit duhet të fillojnë. Rindërtimi do të fillojë në fazën e tretë, por palët vazhdojnë të mbeten shumë larg për të ardhmen e Gazës.