Botë

Izraeli kërcënon me zgjerim të luftës nëse bie armëpushimi në Liban

Liban

Foto: Associated Press

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka kërcënuar se nëse armëpushimi në Liban bie, forcat izraelite “nuk do të bëjnë më dallime midis Libanit dhe Hezbollahut”.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite brenda Libanit që nga 7 tetori i vitit 2023 ka arritur në mbi 3,000, teksa numri i të plagosurve është mbi 13,000, raporton The Guardian.

Izraeli ka thënë se ka kryer shpërthimet e pejxherëve dhe radiolidhjeve e Hezbollahut në shtator, dhe në javët e fundit ka kryer një seri të gjerë sulmesh ajrore për të cilat pretendon se synonin infrastrukturën e Hezbollahut.

Katz i cili po vizitonte veriun e Izraelit të martën, ka thënë se qeveria libaneze duhet "të autorizojë ushtrinë libaneze për të zbatuar pjesën e saj, për të mbajtur Hezbollahun larg Litanit dhe për të çmontuar të gjithë infrastrukturën".

“Nëse armëpushimi bie, nuk do të ketë më përjashtime për shtetin e Libanit. Nëse deri më tani kemi bërë dallime mes Libanit dhe Hezbollahut, nuk do të jetë më kështu”, është shprehur Katz.

Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra që ndalojnë civilët në Libanin fqinj të kthehen në dhjetëra fshatra në jug, ku dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre.

Shumë izraelitëve në veri të Izraelit gjithashtu u është dashur të ikin, për shkak të shkëmbimeve të vazhdueshme të sulmeve midis Hezbollahut dhe forcave izraelite të Mbrojtjes, që nga 7 tetori 2023.

“Nëse i kthehemi luftës do të veprojmë me forcë, do të shkojmë më thellë dhe gjëja më e rëndësishme që ata duhet të dinë është se nuk do të ketë më një përjashtim për shtetin e Libanit”, është shprehur Katz.