Izraeli ka urdhëruar më shumë evakuime në Libanin jugor teksa ka kërcënuar se do të ketë cak edhe ambulancat.
Kjo vjen pasi një paqeruajtës i tretë i OKB-së u plagos në konfliktin në përshkallëzim të Izraelit me grupin e mbështetur nga Irani, Hezbollah, raporton The Guardian.
Ushtria izraelite të shtunën urdhëroi banorët e 23 fshatrave jugore të Libanit që të evakuohen në zonat në veri të lumit Awali.
Urdhri, i komunikuar përmes një deklarate ushtarake, përmendi fshatrat në Libanin jugor që kanë qenë objektiva të fundit të sulmeve izraelite, shumë prej të cilave tashmë janë pothuajse bosh.
Ushtria izraelite pohoi gjithashtu të shtunën, se militantët e Hezbollahut po përdornin ambulanca për të transportuar veten dhe armët, dhe u bëri thirrje ekipeve mjekësore që "të shmangin marrëdhëniet me operativët e Hezbollahut dhe të mos bashkëpunojnë me ta".
Në një postim në X, zëdhënësi arab i IDF-së kërcënoi se do të synonte "çdo automjet që mbante njerëz të armatosur, pavarësisht nga lloji i tij".
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka thënë të shtunën se pesë spitale kishin pësuar dëme nga sulmet ajrore izraelite në qytetin lindor të Baalbek dhe luginën Bekaa.
The Guardian ka raportuar më parë se të paktën 50 ndihmës mjekë janë vrarë që kur Izraeli nisi sulmet e tij më të fundit në Liban. Të gjithë i përkisnin shërbimeve të kujdesit shëndetësor të lidhur me Hezbollahun ose Amal, një parti tjetër politike shiite.
Organizata bamirëse mjekësore Médecins Sans Frontières (MSF) javën e kaluar u detyrua të mbyllë klinikën e saj në një periferi jugore të Bejrutit dhe të ndalojë përkohësisht aktivitetet e saj në një tjetër në veri, për shkak të sulmeve të rënda ajrore, ka bërë të ditur grupi në një deklaratë të enjten.