Botë

Izraeli intensifikon sulmet në Gaza, urdhëron banorët që të zhvendosen në jug

Izraeli

Izraeli ka sulmuar një lagje në qytetin e Gazës të enjten, ka urdhëruar palestinezët që të zhvendosen në jug, dhe ka bombarduar qytetin e Rafahut, në atë që thotë se është faza e fundit të një operacioni kundër militantëve të Hamasit atje.

Banorët e lagjes “Shejaia” në qytetin e Gazës kanë thënë se sulmet izraelite tokësore filluan befasisht në orët e para të pasditës, ndërsa gjatë natës pati sulme ajrore me dronë. 

“Dukej sikur lufta po rifillonte, bombardimet e shumta shkatërruan disa shtëpi në zonën tonë”, është shprehur Mohammad Jamal, 25 vjeç, banor i qytetit të Gazës.

Shërbimi i Emergjencave Civile Palestineze ka raportuar për njerëz të vrarë dhe të plagosur në “Shejaia”, por ekipet e tyre nuk ishin në gjendje t’u ofronin trajtim për shkak të ofensivës së vazhdueshme. Tre persona janë raportuar të vrarë atje si pasojë e bombardimeve të mëhershme dhe pesë të tjerë në lagjen “Sabra”. 

Krahu i armatosur Xhihadi Islamik, aleat i Hamasit, ka njoftuar se ka urdhëruar shpërthimin e një mjeti shpërthyes të paravendosur, duke shkatërruar kështu një tank izraelit në lindje të “Shejaia-s”.

Izraeli ka akuzuar vazhdimisht militantët e Hamasit se po fshihen mes civilëve dhe pretendon se ka paralajmëruar vazhdimisht banorët që të zhvendosen, raporton “Reuters”.

“Për të gjithë banorët dhe njerëzit e zhvendosur në zonën Shujaiya dhe lagjet e reja ... Për sigurinë tuaj, ju duhet të evakuoni menjëherë në jug në rrugën Salah al-Din në zonën humanitare”, ka shkruar në rrjetin social “X”, zëdhënësi i ushtrisë izraelit, Avichay Adraee.

Janë bërë më shumë se tetë muaj prej kur ka filluar lufta dhe zyrtarët e organizatave humanitare vazhdojnë të thonë se enklava është tejet e rrezikuar si pasojë e krizës së urisë, me pothuajse gjysmë milioni njerëz që po përballen me pasiguri ushqimore.

“Ne në Gaza jemi të uritur dhe po ndiqemi nga tanke dhe aeroplanë, pa shpresën që kjo luftë do të përfundojë ndonjëherë”, ka shtuar Jamal.

Vdekja e një vajze tjetër në spitalin “Kamal Adwan”, vonë të mërkurën, shënon edhe një rast të ri, në mesin e të paktën 31 fëmijëve që kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidratimit. Lufta e ka vështirësuar madje edhe regjistrimin e rasteve të tilla. 

Izraeli mohon akuzat se ka krijuar krizë të urisë, duke fajësuar agjencitë e ndihmave për problemet në furnizim e shpërndarje dhe duke akuzuar Hamasin për devijimin e ndihmave, akuza që militantët i mohojnë.

Ndërmjetësimi ndërkombëtar i mbështetur nga SHBA-ja ka dështuar të japë rezultat mbi arritjen e ndonjë marrëveshjeje armëpushimi edhe pse bisedimet po vazhdojnë.
Hamasi kërkon që të arrihet një marrëveshje e cila do t’i japë fund luftës dhe që do të shënonte tërheqjen e plotë të trupave të Izraelit nga Gaza, ndërsa Izraeli thotë se do të pranojë vetëm pauza të përkohshme në luftime, deri në momentin kur Hamasi, i cili ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007, të çrrënjoset. 

Që nga 7 tetori, kur edhe filloi lufta, janë vrarë 37.658 palestinezë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve, por sipas zyrtarëve shumica e të vrarëve kanë qenë civilë. 

Izraeli ka humbur 314 ushtarë si pasojë e luftës dhe pretendon se të paktën një e treta e të vdekurve palestinezë janë luftëtarë.