Botë

Izraeli godet Iranin me “sulme precize”

Teherani

Teherani

Ushtria e Izraelit (IDF) ka njoftuar se ka kryer sulme ajrore të shtunën mbi Iranin, duke synuar objektet ushtarake, ka raportuar BBC. Dy ushtarë të Iranit janë vrarë. 

“Në të njëjtën kohë, IDF-ja goditi aftësitë ajrore iraniane, që synonin të kufizonin lirinë ajrore të Izraelit të operimit në Iran. Kjo na jep më shumë liri veprimi në ajër mbi Iranin”, thuhet në deklaratë.

Izraeli nuk ka shënjestruar udhëheqësit e Iranit, objektet bërthamore apo ato të naftës – që mund të çojë në përshkallëzim edhe më të madh të luftës.

Kjo do të thotë se përgjigja e Izraelit ka marrë parasysh sugjerimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe për të treguar përmbajtje në “sulmin hakmarrës”.

Autoritetet iraniane kanë thënë se kanë arritur të ndalin të gjitha raketat e Izraelit, ndërsa dëmet janë të vogla. Më vonë kanë konfirmuar se dy ushtarë kanë mbetur të vdekur. 

Në fillim të këtij muaji, Irani ka lansuar qindra raketa në drejtim të Izraelit, ndërsa të paktën disa prej tyre kanë goditur në territorin izraelit. Ishte sulmi i dytë i Iranit këtë vit, pasi lansoi qindra raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit në prill. Irani u hakmor pas vrasjeve të liderëve të Hamasit e Hezbollahut.