Botë

Izraeli godet Houthin në Jemen

Jemen

Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se avionët e saj luftarakë goditën objektiva ushtarake të grupit Houthi në zonën e portit Hodeidah në Jemen, në kundërpërgjigje të qindra sulmeve të bëra ndaj Izraelit gjatë muajve të fundit.

Al-Masirah TV, kanali kryesor televiziv që drejtohet nga grupi Houthi, raportoi se sulmet u bënë ndaj objekteve të hidrokarbureve në këtë port dhe se pati viktima.

Banorë të Hodeidahut i thanë nëpërmjet telefonit agjencisë së lajmeve Reuters se shpërthimet dëgjoheshin në mbarë qytetin gjatë bombardimeve intensive.

Të premten, një dron i prodhimit iranian me rreze të gjatë veprimi goditi në qendër të Tel Avivit. Grupi paraushtarak Houthi mori autorësinë e sulmit. Sipas ushtrisë izraelite dhe shërbimeve të emergjencës nga sulmi u vra një person dhe u plagosën katër të tjerë.

“Avionët e Forcave Mbrojtëse të Izraelit goditën objektiva ushtarake të regjimit terrorist të Houthive në zonën e portit në Jemen, në përgjigje të qindra sulmeve të bëra ndaj shtetit të Izraelit gjatë muajve të fundit”, tha ushtria izraelite.

Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha se Izraeli informoi aleatët përpara se të bënte sulmin të shtunën.
Grupi Huthi i mbështetur nga Irani ka shtuar sulmet ndaj Izraelit dhe objektivave perëndimore, duke thënë se po veprojnë në solidaritet me palestinezët.

Hamasi sulmoi qytetet izraelite në 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 persona dhe duke marrë peng në Gazë mbi 250 të tjerë, sipas përllogaritjeve të autoriteteve izraelite. Që nga ajo kohë, rreth 39 mijë palestinezë janë vrarë nga sulmi izraelit në Rripin e Gazës, sipas autoriteteve të shëndetësisë në territorin e drejtuar nga Hamasi./VoA