Botë

Izraeli fut tanket në Bregun Perëndimor të pushtuar për herë të parë që nga 2002-a

Tanket izraelite

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar të dielën se tanket izraelite kanë hyrë në Bregun Perëndimor të pushtuar për herë të parë që nga viti 2002.

Gjatë një fjalimi në një ceremoni diplomimi për oficerët luftarakë në Holon, Netanyahu ka thënë se kjo nënkupton se do ta luftojnë terrorizmin me të gjitha mjetet dhe kudo.

Izraeli është duke thelluar goditjen e tij në territorin palestinez dhe ka thënë se është i vendosur të eliminojë militantizmin mes një rritje të sulmeve, raporton AP.

Izraeli ka nisur ofensivën e gjerë në Bregun Perëndimor verior më 21 janar, dy ditë pas arritjes së armëpushimit aktual në Gaza, dhe e ka zgjeruar atë në zonat e afërta.

Palestinezët i shohin sulme të tilla si pjesë e një përpjekjeje për të çimentuar kontrollin izraelit mbi territorin, ku 3 milionë palestinezë jetojnë nën sundimin ushtarak.

Sulmet vdekjeprurëse kanë shkaktuar shkatërrime në zonat urbane.

Netanyahu ka thënë se trupat do të qëndrojnë në Bregun Perëndimor "për aq kohë sa të jetë e nevojshme".