Zyrtarët izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, kanë siguruar Shtetet e Bashkuara se një kundërsulm ndaj Iranit do të kufizohet në objektiva ushtarake dhe jo në objektet e naftës ose bërthamore, sipas një personi të njohur me diskutimet.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij për goditjen e objekteve bërthamore dhe të naftës të Teheranit, diskutoi planet e Izraelit me Netanyahun gjatë një telefonate të klasifikuar javën e kaluar. Në atë bisedë, Netanyahu i tregoi Bidenit planin e tij për të goditur caqet ushtarake, ka thënë personi për CNN.
Washington Post fillimisht raportoi se Netanyahu e kishte siguruar Bidenin për planet e tij për të shmangur objektivat bërthamore dhe të naftës.
Zyra e Netanyahut ka thënë se do të marrë në konsideratë opinionet e SHBA-së, por përfundimisht do të vendosë përgjigjen e saj ndaj sulmit të 1 tetorit të Iranit bazuar në interesat e veta kombëtare.
Dhe zyrtarët amerikanë kanë thënë se ata janë ende duke u koordinuar ngushtë me Izraelin derisa ai të vendosë se si të përgjigjet.
“Ne dëgjojmë opinionet e Shteteve të Bashkuara, por do të marrim vendimet tona përfundimtare bazuar në interesat tona kombëtare”, ka shkruar zyra e Netanyahut në X.
Shtëpia e Bardhë, e cila nuk e ka komentuar mesazhin e raportuar të Netanyahut për shmangien e objekteve bërthamore dhe të naftës, e përshkroi më parë thirrjen telefonike midis liderëve javën e kaluar si "produktive" dhe "të drejtpërdrejtë". Ishte biseda e tyre e parë në gati dy muaj.
Diskutimet e Izraelit se si t'i përgjigjet Iranit vijnë në një moment tensionesh të larta në konfliktin njëvjeçar, i cili është zgjeruar përtej Gazës në Liban. Në Shtëpinë e Bardhë, zyrtarët kanë punuar për të kufizuar hakmarrjen e Izraelit, duke shpresuar për të parandaluar një luftë më të gjerë.
Megjithatë, Bideni dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë pohuar se Izraeli ka të drejtë të përgjigjet dhe kanë thënë se ishin në koordinim të ngushtë me homologët e tyre ndërsa shqyrtonin një vendim.
Një goditje në fushat e naftës që mund të çojë në rritje çmimet e energjisë do të ishte e padëshiruar pak javë përpara zgjedhjeve në SHBA, kanë thënë zyrtarët. Dhe goditja e objekteve bërthamore të Iranit mund të shkaktojë luftën e plotë rajonale që Bideni ka kërkuar vazhdimisht ta shmangë.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se presin një përgjigje të matur nga Izraeli, duke besuar se vendi nuk donte një konflikt jashtë kontrollit me Iranin.