Botë

Izraeli do të mbajë trupat në Libanin jugor edhe pas afatit të 18 shkurtit

Tanket izraelite

Foto: Associated Press

Izraeli do të mbajë trupat në disa poste në Libanin jugor edhe pas afatit për t’u tërhequr që është data 18 shkurt, ka thënë një zëdhënës ushtarak të hënën.

Sipas një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Uashingtoni në nëntor, trupave izraelite u janë dhënë 60 ditë afat për t'u tërhequr nga Libani jugor, ku ata kishin kryer një ofensivë tokësore kundër luftëtarëve të grupit të armatosur libanez Hezbollah që nga fillimi i tetorit, raporton Reuters. 

Ai afat u zgjat deri më 18 shkurt, por zyrtarët izraelitë dhe libanezë, si dhe diplomatë të huaj kishin parashikuar që ushtria do të mbante disa trupa në pjesë të anës libaneze të kufirit.

"Ne duhet të qëndrojmë në ato pika për momentin për të mbrojtur qytetarët izraelitë, për t'u siguruar që ky proces të jetë i plotë dhe përfundimisht t'ia dorëzojmë atë forcave të armatosura libaneze”, ka thënë zëdhënësi ushtarak, nënkoloneli Nadav Shoshani në një konferencë me gazetarët, duke shtuar se masa është në përputhje me mekanizmin e marrëveshjes së armëpushimit.

Ai ka shtuar se lokacionet ishin afër komuniteteve izraelite ose kishin pika të favorshme strategjike me pamje nga qytetet izraelite si Metula, në pikën më veriore të Izraelit.

Dhjetëra mijëra njerëz u shpërngulën nga Izraeli verior nga raketat e Hezbollahut dhe më shumë se një milion njerëz në Liban u larguan nga sulmet ajrore izraelite në konfliktin e luftës njëvjeçare që po zhvillohej paralelisht me luftën e Gazës.

Luftimet përfunduan në fund të nëntorit me një armëpushim që urdhëroi trupat izraelite të tërhiqen nga Libani jugor, luftëtarët e Hezbollahut dhe armët të largoheshin dhe trupat libaneze të vendoseshin në atë pjesë.