Botë

Izraeli dhe Hamasi fajësojnë njëri-tjetrin për vonesë në arritjen e armëpushimit

Ushtria izraelite

Grupi militant palestinez Hamas dhe Izraeli fajësuan njëri-tjetrin të mërkurën për dështimin për të arritur një marrëveshje armëpushimi, pavarësisht progresit të raportuar nga të dyja palët në ditët e kaluara.

Hamasi ka thënë se Izraeli ka vendosur kushte të reja, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka akuzuar grupin se po kthehej prapa në çështjet për të cilat tashmë është arritur mirëkuptim, raporton Reuters.

“Okupuesi ka vendosur kushte të reja në lidhje me tërheqjen, armëpushimin, të burgosurit dhe kthimin e të zhvendosurve, gjë që ka vonuar arritjen e marrëveshjes që ishte në dispozicion”, ka njoftuar Hamasi.

Grupi ka thënë se megjithatë po tregonte fleksibilitet dhe se bisedimet, të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti, po shkonin në një drejtim serioz.

"Organizata terroriste Hamas vazhdon të gënjejë, po refuzon çështjet për të cilat tashmë është arritur mirëkuptim dhe po vazhdon të krijojë vështirësi në negociata", ka deklaruar Netanyahu.

Megjithatë, Izraeli do të vazhdojë përpjekjet e pandërprera për të kthyer pengjet, ka shtuar kryeministri izraelit.

Negociatorët izraelitë u kthyen në Izrael nga Katari të martën në mbrëmje për konsultime rreth një marrëveshjeje pengjesh pas një jave intensive bisedimesh, ka bërë të ditur të martën zyra e Netanyahut.

Ndërmjetësuesit amerikanë dhe arabë, Katari dhe Egjipti kanë shtuar përpjekjet për të përfunduar një marrëveshje në dy javët e fundit.

Ndërkohë, forcat izraelite po vazhdojnë operacionin ushtarak mbi enklavën palestineze. Mjekët kanë thënë se sulmet ushtarake izraelite kanë vrarë të paktën 24 njerëz në të gjithë Rripin e Gazës të mërkurën.