Izraeli po kërkon lirinë për të goditur Hezbollahun në Liban sipas çdo marrëveshje armëpushimi në zhvillim mes palëve, duke ngritur shqetësimin për një ndërlikim të mundshëm në kohën kur i dërguari i lartë i SHBA-së ndodhet në rajon në një përpjekje për të arritur një marrëveshje.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar ka thënë të mërkurën se Izraeli kërkon të rezervojë të drejtën për t'iu përgjigjur çdo shkeljeje nga Hezbollahu, sipas një propozimi, i cili parasheh që luftëtarët e grupit militant dhe forcat tokësore izraelite të shtyhen nga një zonë tampon e OKB-së në Libanin jugor, raporton AP.
"Në çdo marrëveshje që do të arrijmë, ne do të duhet të ruajmë lirinë tonë për të vepruar nëse do të ketë shkelje”, u ka thënë Saar dhjetëra ambasadorëve të huaj në Jerusalem.
"Ne do të jemi në gjendje të veprojmë në kohë, përpara se problemi të rritet. Për fat të keq, Libani është një shtet i dështuar. Por ne nuk mund të paguajmë çmimin në sigurinë tonë, në sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.
Komentet e Saar erdhën në kohën kur aleatët e Hezbollahut në qeverinë libaneze thanë se grupi militant i ishte përgjigjur pozitivisht propozimit.
Amos Hochstein, drejtuesi i administratës Biden për Izraelin dhe Libanin, ka punuar ditët e fundit për t'i shtyrë palët drejt marrëveshjes.
Ai është takuar këtë javë me zyrtarë në Liban dhe ka thënë të mërkurën se do të udhëtonte në Izrael, një shenjë se po bëhej përparim.